P. Xhufi: Politika shqiptare është si një gropë septike
Historiani dhe ish-diplomati Pëllumb Xhufi, i dalluar për diatribat e tij publike në mbrojtje të interesit kombëtar (të vizioneve të veta kombëtariste, do thosh dikush tjetër), ka dhënë në të përditshmen Shekulli një intervistë, e cila vërtitet rreth fabulës së kabllogrameve. Xhufi, i cili deri para dy vitesh ka qenë anëtar i kryesisë së LSI-së (është larguar me bujë, tok me të tjerë, nga ajo parti në momentin që Meta e Berisha u morën vesh për të ndërtuar koalicionin e tyre), i sheh opinionet e qëndrimet e ambasadës amerikane të dala nga dokumentat e Wikileaks-it si një provë tjetër të banditizmit politik në Shqipëri. “Për SHBA-të dhe për partnerët e tjerë ndërkombëtarë është bërë fare e qartë se shumica e liderëve politikë shqiptarë nuk përfaqësojnë sot asgjë tjetër, veç interesave të tyre të pista. Ata janë liderë pa popull, janë liderë që ndiqen shumë-shumë nga banda vrasësish, trafikantësh e nëpunësish të trembur. Si të tillë, ata përbëjnë një të keqe publike, nga e cila duhet ndarë me çdo kusht e me çdo çmim”, thotë ai mes të tjerash.
Xhufi bën pjesë tek zërat e paktë publikë, që nuk kanë munguar të shprehin nausea-n e tyre përballë politikës shqiptare. Ai është në këtë linjë edhe kur shprehet në intervistën për Shekullin, se “të zbulosh të fshehtat e realitetit shqiptar, posaçërisht atij politik, është si të hapësh një gropë septike”.
Re.Pu.
Add new comment