Opozita serbe qeverisë: thoni të vërtetën se Kosova është e pavarur

Pas një shkrimi të Vuk Drashkoviçit, botuar në gazetën 'Blic', me titull "Të heqim dorë nga Europa" ku ai shtjellonte temën e dhimbshme të zgjedhjes mes Europës dhe Kosovës, politikanë të tjerë i kanë kërkuar qeverisë serbe ta ndryshojë qëndrimin në lidhje me ish-provincën jugosllave. Liderit të Partisë Liberal Demokratike të Serbisë, Çedomir Jovanoviç, i cili ishte i vetmi ndër politikanët serbë me pikëpamjet e tij lidhur me pavarësinë e Kosovës, ditëve të fundit iu bashkuan edhe kryetari i Unionit Socialdemokrat të Serbisë, Zharko Korac, dhe kryetari i Ligës së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak. Në Serbi po shtohet gjithnjë e më shumë numri i politikanëve që në paraqitjet e tyre publike po paraqesin për Kosovën pikëpamje që deri dje ishin të paimagjinueshme. Të dy këta politikanë opozitarë e kritikojnë qeverinë e Beogradit se me qëndrimin e saj lidhur me Kosovën po pengon integrimet europiane të Serbisë. Edhe më kritik ndaj qëndrimit të koalicionit qeverisës serb lidhur me Kosovën është lideri i Lëvizjes së Përtëritjes Serbe, Vuk Drashkoviç, i cili nga mediat e Beogradit konsiderohet si një prej mbështetësve më të fuqishëm të Planit të Ahtisarit. Ditëve të fundit, Drashkoviçi ka theksuar se qeveria duhet t’ia thotë popullit serb të vërtetën se “Kosova është shtet i pavarur”.
H.B.
Add new comment