Ndryshimet kushtetuese bëhen në parlament
Ka ca kohë, që socialistët po flasin për ndryshimin e kushtetutës, sidomos të asaj pjese të kushtetutës, që u ndryshua njëherë para zgjedhjeve të fundit parlamentare. Po i mëshohet këtij diskutimi sidomos pas mea culpa-s së Edi Ramës lidhur me ok-in (apo nxitjen) që u dha ndryshimeve të 21 prillit të vitit 2008, të cilat dobësuan rolin e Presidentit e fuqizuan atë të kryeministrit. Rama ka folur për një motivim të ndershëm në atë rrethanë, por janë të shumtë ata që besojnë se këto ndryshime u mbështetën e inkurajuan prej tij me shpresën se pas ca muajsh do të ishte ai kryeministri i vendit.
Berisha i di mirë motivimet e Ramës, pasi besohet që të njëjtat motivime t’i ketë pasur dhe ai vetë. E në këtë kuptim, janë të pakta gjasat që ai të pranojë idenë e ndryshimeve kushtetuese, që do të synonin dobësimin e funksionit të tij si kryeministër, e si leader i maxhorancës. Në këto rrethana, Pandeli Majko ka folur dje për organizimin e një referendumi. Mirëpo, nuk duket se është ide e kopsitur mirë. Është e vërtetë që në kushtetutën aktuale ka një nen (neni 175, pika 5) që thotë se “amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë
anëtarëve të Kuvendit”, por puna është se këto ndryshime duhen miratuar më së pari në Kuvend, ku sipas të njëjtit nen (pika 3) duhen “jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Socialistët nuk i kanë kaq vota.
E.G.
Add new comment