Ndarja e Kosovës, një atout që s’po jep frute

Postuar në 02 Tetor, 2011 06:57

Diplomacia e fuqive të mëdha as që e çon nëpër mendje opcionin e ndarjes së Kosovës në përpjekje për të qetësuar gjakrat mes shqiptarëve e serbëve e për t’i bërë serbët të çlirohen njëherë e mirë prej gjyles së Kosovës. “Të gjitha opcionet janë të mundura e të diskutueshme, me përjashtim të ndarjes”, duket se duan të thonë perëndimorët me reagimin e tyre përballë idesë bajagi provokative të hedhur kohët e fundit si një atout prej presidentit serb Boris Tadiç.

Ky i fundit nuk ka marrë frutet që priste prej këtij propozimi në dukje të arsyeshëm. Dy gra të fuqishme,amerikania Clinton dhe gjermania Merkel, ia kanë hedhur poshtë pa një, pa dy. Këtë e thonë një numër gazetash në Beograd, ku të krijohjet përshtypja se kanë patur iluzione që një plan i tillë do të pritej mirë, pasi së pari me të nënkuptohet njohja e Kosovës, dhe së dyti me të zgjidhet problemi i serbëve të Kosovës. Kjo është besuar. Tani nuk besohet më. Dhe puna është se serbët nuk kanë ç’të ofrojnë tjetër. Kanë djegur kartën e fundit në një rrethanë jo fort të favorshme.

Kanë ende në dorë si një patate të nxehtë problemin e Kosovës. Kanë ushqyer serbët e thjeshtë me idenë se Kosova nuk është e humbur, dhe tani gjithçka po u kthehet si një bumerang. Do t’u duhet të kërkojnë mirëkuptimin e serbëve për të kundërtën, dmth që hesapet duhen bërë me faktin që Kosova ka humbur njëherë e mirë. “Nëse nuk pajtohemi me këtë realitet të ri, ne s’kemi për të hyrë në BE”, kjo është ajo që u duhet thënë serbëve, tanimë. Po kush t’ua thotë? Kur? Me ç’kosto? Ky është problemi i politikës serbe, maxhorancës dhe opozitës.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.