Messi e Ronaldo: Sa e kollajtë është të bësh një gol!

Postuar në 04 Nëntor, 2011 01:19

“Ata të dy, të shpejtë, të pambulueshëm, të përsosur përpara portës, bëjnë që të rrijnë tok aritmetika e poezia” – kështu e niste shkrimin e vet në la Repubblica gazetari sportiv Mario Crosetti. Ata të dy? Cilët? O, kjo merret me mend. Ata të dy janë Leonel Messi dhe Cristiano Ronaldo. I pari me Barcelonën e i dyti me Realin e kanë shndërruar kampionatin spanjoll më të bukurin. Argjentinasi e portugezi janë padyshim më të mirët në botë. Shumica janë të mendimit se Messi është i vetëm në fronin e më të mirit, por Ronaldo po i bind të gjithë se dhe ai është aty, thjesht një shkallë më poshtë, e ndoshta i ulur në të njëjtin fron.

Janë ende të rinj (Ronaldo dy vjet më i madh), dhe kanë shënuar me një ritëm, që s’e ka njohur askush tjetër në klubet ku luajnë. Messi sapo ka kaluar të 200 golat me Barçën. Saktësisht ka shënuar 202 gola në 286 ndeshje, me një mesatare 0,70/ndeshje. Cristiano Ronaldo ka shënuar 101 gola në 105 ndeshje, me një mesatare 0,96/ndeshje.

Është vetëm një rrethanë që “ua komprometon” gjeninë e forcën. Luajnë me skuadra të forta. Messi luan me Fabregas-in, Iniesta-n, Xavi-n, David Villa-n, ndërsa Ronaldo me yje të mbledhur nga të katër anët e botës. Por përtej këtij vëzhgimi malign, ata janë të mëdhenjtë e futbollit të sotëm. “Kushedi ç’do mund të bënin po të luanin bashkë?”, pyet Crosetti, dhe përgjigjen e lë të merret me mend.

Re.Pu.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.