Kushti i PS-së për bashkëpunim: Qeveri teknike
Në një intervistë dhënë gazetës “Shekulli”, socialisti Ilir Beqja jep sinjalin për kushtin që do të vërë PS-ja për bashkëpunimin me PD-në në Kuvend, në funksion të reformave të kërkuara nga BE dhe SHBA-ja. “Nëse PS nuk kërkon zgjedhje të parakohshme…, kjo nuk do të thotë që edhe në këta dy vjet vendi duhet të vazhdojë të qeveriset nga Sali Berisha. Të paktën në periudhën shtator 2012 – qershor 2013 vendi duhet të drejtohet nga një qeveri teknike që do të organizojë zgjedhjet, ” deklaron Beqja në intervistën e tij. Më tej ai thotë: “…Nëse kundërshtari ulet në tavolinë me logjikën e hajdutit, nuk ka reformë që të jetë e suksesshme. Për këtë, edhe unë e mbështes idenë që, për një periudhë kalimtare, derisa të rivendoset besimi reciprok midis palëve politike, zgjedhjet në Shqipëri të mund të organizohen nga një trupë ndërkombëtare.”
Këto kushte që sugjeron Beqja, mund të merren seriozisht në konsideratë nga PD-ja vetëm në qoftë se ekziston një dëshirë e fortë në radhët e saj për një integrim sa më të shpejtë në BE, siç e pati në Kroaci partia në fuqi, e cila shkarkoi kryeministrin Sanader në vitin 2009, për ta zëvendësuar me një udhëheqëse më të re, kryeministren Kosor. Shkarkimi i Sanaderit i hapi rrugën Kroacisë për integrimin europian. Ndoshta diçka të tillë ka patur në mendje ambasadori amerikan Arvizu, kur na sugjeroi të marrim shembull nga Kroacia, pas takimit që pati sot me Lulzim Bashën.
E.Z.
Add new comment