Ja ajo që po ndodh lidhur me Palestinën në OKB
Të premten, përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të flasë presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, i cili do të kërkojë njohjen e Palestinës si shtet me të drejta të plota në këtë organizatë. Shteti i ri do duhet të kthehet në kufijtë që kanë egzistuar përpara vitit 1967, dmth do duhet të përfshijë Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor.
Po cila është procedura për njohjen e një shteti të ri? Janë tri shkallë, apo hapa, që duhen kryer. Së pari, presidenti Abaz duhet t’i dorëzojë një kërkesë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në të cilën ai do duhet të përshkruajë Palestinën si “një shtet paqedashës”, që bie dakord me kartën e OKB-së. Kjo është formulë. Pritet që përfaqësuesi më i lartë i Palestinës ta bëjë këtë menjëherë pas fjalës së vet në Asamble, faqe të gjithë delegatëve e në sytë e të gjitha kamerave televizive. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, më tej, e shqyrton letrën, dhe ia kalon Këshillit të Sigurimit. Së dyti, Këshilli i sigurimit do të duhet ta miratojë këtë kërkesë me të paktën nëntë vota nga 15 që janë gjithsej, dhe me kushtin që të mos ushtrohet e drejta e vetos nga fuqitë e mëdha që e kanë këtë të drejtë. Së treti, kërkesa duhet të mbështetet nga 2/3 e Asamblesë së Përgjithshme.
Do të ndodhë kjo gjë? SHBA-të e kanë bërë të qartë se do të vendosin veton e tyre, që kjo gjë të mos ndodhë pasi, siç deklaroi Presidenti Obama në fjalën e vet, shteti i ri i Palestinës do duhet të vijë si produkt i negociatave me Izraelin.
Po çfarë pritet të ndodhë praktikisht? Presidenti Abaz ka për ta bërë kërkesën. Përndryshe, kuotat e tij politike në Palestinë do të shkonin në fund. Nga ana tjetër, SHBA-të nuk kanë interes të vënë veton, pasi kështu do rritej dhe ca më shumë animoziteti i arabëve e myslimanëve ndaj superfuqisë së vetme të planetit. Prandaj, Presidenti Obama do t’i kërkojë presidentit Abaz pas fjalës së tij, që t’mos ta dorëzojë kërkesën tek Sekretari i Përgjithshëm. Në këto rrethana pritet që Presidenti palestinez mund t’i kërkojë Asamblesë që ta njohë Palestinën si shtet vëzhgues jo-anëtar, i ngjashëm me Vatikanin. Eshtë pikërisht kjo gjë, që mund të arrihet.
Re.Pu.
Add new comment