Ideja e BE, Kosova e Serbia menaxhim të përbashkët të kufijve

E përditshmja kosovare ‘Express’ shkruan sot se zv/kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka pranuar se Bashkimi Europian ka hedhur idenë e një menaxhimi të përbashkët e të integruar të gjithë kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. ‘Express’ duke iu referuar një interviste të Tahirit për të përditshmen tjetër “Epoka e Re” ka thënë se pala kosovare i ka thënë ‘po’ parimisht këtij modeli. Tahiri ka shtuar se delegacioni i Kosovës ka kërkuar nga BE-ja t’i bëjë presion Beogradit, që deri më 20 nëntor t’i respektojë marrëveshjet e arritura dhe t’i kthehet dialogut. Shefja e delegacionit të Republikës së Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se ideja e Bashkimit Europian për menaxhimin e përbashkët të integruar të gjithë kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete fqinje, është e pranueshme për shtetin e Kosovës, pasi kjo është konform edhe me kushtetutën e Republikës. Tahiri ka vërejtur se një model i tillë është duke u zbatuar me Shqipërinë e Maqedoninë dhe pritet që e njëjta skemë të zbatohet edhe me Malin e Zi. Ajo ka thënë se nuk sheh ndonjë pengesë në zbatimin e kësaj marrëveshje me Serbinë duke shtuar se kjo çështje është vetëm në nivel ideor dhe së shpejti mund të ketë më shumë detaje mbi atë se si BE-ja e mendon këtë projekt.
H.B
Add new comment