Herman Cain: Ishte Zoti që më bindi të futesha në garën presidenciale

Republikanët amerikanë, një pjesë e tyre, në fakt, dallohen për një vokacion të fortë religjioz, e ndër ta ka ca të tjerë që, në një mënyrë a në një tjetër, pretendojnë të kenë patur një komunikim të privilegjuar me Atë atje lart. Njëri syresh është Herman Cain, kandidati republikan për postin e Presidentit të SHBA-ve, i cili kohët e fundit e ka parë veten ‘të kryqëzuar’ për ca bëma me sfond seksual. Ky i ka thënë gazetës National Journal, se “Zoti më bindi mua t’i futesha kësaj pune”.
“Unë jam lutur, e lutur, e lutur”, tha ai në një takjim me të rinj republikanë në Atlanta. “Unë jam një njeri i besimit, dhe prandaj më duhej të lutesha lidhur me këtë që doja të bëja, të lutesha si kurrë ndonjëherë më parë. Dhe në momentin që kuptova se ishte Zoti që po më thosh se ‘kjo është pikërisht ajo që duhet të bësh’, më ngjau vetja me Mosiun (Mozenë). “Më duket se nuk jam njeriu i duhur për këtë punë, Zoti im. Jeni i sigurtë në këtë që po më thoni?”, rrëfeu ai, duke i lënë të rinjtë republikanë të evokonin fabulën biblike, fundi i së cilës dihet: Mosiu më në fund iu bind Zotit.
Nuk është vetëm Cain-i, që ka marrë ok-in e Zotit në një aventurë politike. Në muajin maj, republikanja tjetër, Michele Bachmann, kandidate për të njëjtin post, tha se kish dëgjuar një sugjerim divin për t’iu futur garës për President. Në qershor, kur ajo ish e ftuar në programin "Face the Nation" të CBS-së, moderatori Bob Schieffer ia bëri pyetjen si të ish një nxënës i shkollës fillore (ndoshta ngaqë ka dashur të kuptojë deri ku ka shkuar puna): Ishte Zoti që ju tha se Ai donte që ju ta kandidonit?
"Unë u luta, gjithashtu", tha Bachmann. "Po në anën tjetër, unë ndjeva që Zoti po thosh se duhej ta bëja këtë gjë”.
E.G.
Add new comment