Greqi, Itali: krizat tek dera e shtëpisë

Postuar në 03 Nëntor, 2011 12:23

Italia dhe Greqia janë dy të sëmurat e Europës në këtë moment. Berlusconi-t po i ikin dhe të vetët (dy deputetë kaluan dje me Casini-n), gjë që s’mund të përfytyrohej deri disa javë më parë. Një numër deputetësh të tjerë që e kanë mbështetur gjithë kohën i kërkojnë përgjigje mbi pyetjen: “Çfarë mund të bësh me këtë maxhorancë të dobët? I bën dot reformat që të kërkohen nga Brukseli e që mund ta nxjerrin Italinë nga kjo gropë?” Përgjigjja dihet, që jo. Por Berlusconi po bën një provë me një paketë reformash, e cila do duhet të kalojë në harkun e 15 ditëve në të dy dhomat e parlamentit. Nëse nuk kalon, Berlusconi bie. Dhe komandën e gjërave e merr Presidenti Napolitano. Sipas shumë gasave, do shkohet në zgjedhje të parakohshme. Dhe do të jetë kohë e humbur, që mund t’u kushtojë italianëve.

Në zgjedhje të parakohshme po shkohet edhe në Greqi, por nëse për Italinë zgjedhjet e parakohshme janë një luks që italianët edhe mund t’ia lejojnë vetes, për Greqinë mund të qëllojë të jenë katastrofike. Greqia nuk mund të durojë dot as tri-katër javë pa një qeveri të fortë që t’u dalë gjërave zot, e në këtë kuptim një fushatë elektorale në këto momente do të ish me pasoja të paimagjinueshme. Mjaft të mendosh që arka e shtetit ka pará deri nga mesi i dhjetorit. Papandreu e di këtë, dhe ka bërë një prapakthehu për punë të referendumit. Ka premtuar se do të takohet me leader-in e opozitës, Samaras, dhe me të do të kërkojë një konsensus të gjerë mbi gjërat që duhen bërë. Nëse s’merren vesh, ditë shumë të këqija kanë për të ardhur.

M. Nano

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.