Filluan “surprizat” e Censusit

Duket se po ndodh ajo, së cilës i janë trembur shumë njerëz qysh nga momenti që në parlament u miratua ligji mbi regjistrimin e popullsisë: disa shqiptarë janë duke u deklaruar si grekë. Në fshatin Shën Gjergj të Korçës, një numër i madh banorësh (të gjithë, sipas balkanweb.com-it) pretendojnë se origjina e përkatësia e tyre etnike është ajo greke. Ata askush nuk i ka njohur për grekë deri më sot. Edhe vetë banorët e fshatit nuk e kanë patur këtë pretendim në asnjë rrethanë deri më sot, por ata justifikohen me faktin se askush më parë nuk ua ka kërkuar të deklarojnë origjinën e tyre etnike. “Tani po na e kërkojnë për herë të parë, e tani po e themi që jemi grekë”, shprehen ata.
Shën Gjergji është një fshat rreth 20 kam larg Korçës, me 60-70 shtëpi. Shumica e banorëve janë të fesë myslimane, por asnjëri syresh nuk flet greqisht (edhe ortodoksët e fshatit nuk flasin greqisht).
Në mesditë ka dalë lajmi se regjistrimi është pezulluar, dhe nuk kuptohet pse. Sado skandaloz të jetë një lajm i tillë, regjistrimi nuk ka pse të pezullohet. Mund të jetë ndonjë vendim i marrë nga vetë anketuesit, të cilët, me sa duket, ndihen më shumë patriotë se sa administratorë në këtë proces.
E.G.
Add new comment