FBI-ja e terrorizuar nga myslimanët e thjeshtë
Nga burokracia e FBI-së ka rrjedhur një dokument i çuditshëm, gati i pabesueshëm. Është fjala për një manual trajnimi për agjentët e kësaj buroje hetimi me famë ndërkombëtare, me anë të të cilit agjentëve u mësohet se si të përballen me terroristët islamikë. Çfarë ka në këtë mes? Asgjë, por nuk është ky problemi. Problemi është te përmbajtja e këtyre leksioneve. Aty gjen fraza të llojit “çdo mysliman i zakonshëm mund të jetë një simpatizant i terrorizmit”, “sa më i devotshëm të jetë një besimtar mysliman aq më i dhunshëm ka gjasa të jetë ai”, “profeti Muhamet është një cult leader”, “çdo mysliman është radikal dhe ekstremist”, “praktika e lëmoshës synon grumbullim parash për qëllime të tjera”, etj, etj.
Pritet që kjo praktikë të kritikohet, pasi bie ndesh me ligjet dhe kushtetutën amerikane. Nga ana tjetër, specialistët kanë frikë se kjo qasje në luftën kundër terrorizmit islamik mund të bëjë lojën e vet terrorizmit, e të organizatave që e promovojnë e financojnë atë. Al Qaeda ka kohë që ngul këmbë në faktin, që Amerika i i urren dhe i lufton myslimanët. “T’u mësosh agjentëve të kundër-terrorizmit aspektet e errëta të Islamit dhe t’u largosh atyre vëmendjen nga aspekte të tjera që e nxisin këtë terrorizëm nuk është mënyra më e mirë për ta frenuar terrorizmin”, thotë Robert McFadden, një agjent në pension.
Christopher Allen, zëdhënësi i FBI-së, e çdramatizon situatën. “Nuk janë opinione të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por të autorëve të manualit”, shprehet ai. Por site-i huffpost.com, i shock-uar prej këtij scoop-i, i bënte një interpretim pickues akronimit FBI: jo Federal Bureau of Investigation, por Federal Bureau of Idiocy. Në shqip do të thotë Byroja Federale e Idiotësisë.
E.G.
Add new comment