Ermelinda Meksi kërkon garanci para se të lërë mandatin e deputetes

Ka ditë që thuhet se deputetja Ermelinda Meksi do të kandidojë për një vend në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Është lënë të kuptohet se nga njëra anë ka një marrëveshje apo konsensus midis maxhorancës e opozitës për këtë gjë, e nga ana tjetër ka një ujdi midis PS-së e deputetes që ka përfaqësuar Tiranën dhe PS-në në disa legjislatura. Është marrë kaq e kopsitur kjo punë, sa shtypi ka zënë të flasë mbi personin që do t’i zërë vendin në Kuvend. Ai është Anduel Xhindi, i biri i deputetit të vrarë në fillim (në prag, saktësisht) të fushatës elektorale të vitit 2009.
Mirëpo ka lindur një problem në këtë mes. Meksi nuk don ta lërë mandatin, dhe për këtë shkak është krijuar një kontrast mes saj e Ramës. Ajo nuk ka gjë kundër idesë që të jetë anëtare e Këshillit Mbikqyrës të BSH-së (madje, është kjo vetë që e ka kërkuar), por nuk don të rrezikojë duke lënë mandatin e deputetes përpara se Kuvendi të miratojë kandidaturën e saj për në organin më të rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë.
Ka një paqartësi ligjore lidhur me mospërputhjen e supozuar të mandatit të deputetit dhe kandidimit për poste e detyra të tilla, si ky i anëtarit të Këshillit Mbikqyrës. Dhe Meksit, me sa duket, nuk mund t’ia japë askush këtë garanci në këtë fazë të diskutimit. Çudi si nuk është parashikuar kjo gjë përpara se lajmi të merrte dhenë.
E.G.
Add new comment