E vërteta mbi forumin e biznesit në New York
Zyra e shtypit e kryeministrit ka publikuar tre njoftim për shtyp ku tregohen detajet për një forum shqiptaro-amerikan ku ishte i ftuar edhe Sali Berisha. Sipas njoftimeve të kryeministrisë, kreu i qeverisë mori pjesë në Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e rreth 100 kompanive dhe sipërmarrjeve amerikane. Krahas kryeministrit shqiptar ishin të pranishëm edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, ministri i Turizmit Aldo Bumçi, ambasadorë etj,.
“Në ditën e parë të vizitës në Nju York, Kryeministri Berisha mori pjesë në Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e rreth 100 kompanive dhe sipërmarrjeve amerikane. Të pranishëm në Forum ishin edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, ambasadorë etj.. Sesioni i parë i këtij Forumi u hap nga Eneida Guria, Drejtore e Agjencisë për Investimet dhe Zhvillimin (AIDA). Gjatë këtij sesioni u shfaq edhe një video promovuese të Shqipërisë, natyrës dhe potencialeve të saj. Kryeministri Berisha bëri një prezantim shumëplanësh të zhvillimit ekonomik të vendit dhe treguesve ekonomiko-fiskalë, reformave ekonomike, fiskale…”,- thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së kryeministrit në mungesë të gazetarëve që të kontrollojnë vërtetësinë.
Nga ana tjetër, Zëri i Amerikës, e vetmja media që ka pasur korrespondent në vendin e ngjarjes raporton:
“Qeveria shqiptare organizoi dje në Nju Jork Forumin Amerikano-Shqiptar për Investime me synimin për të tërhequr vëmendjen e kapitalit amerikan për mundësitë që ofron sot Shqipëria. Një delegacion i nivelit të lartë, i kryesuar nga kryeministri Sali Berisha, prezantoi përpjekjet që ka bërë vendi për të krijuar një mjedis sa më të favorshëm për investimet e huaja, duke theksuar se Shqipëria mbetet ende një terren i pashfrytëzuar dhe premtues…”. Sipas VOA, qeveria shqiptare nuk ka qenë e ftuar në këtë forum, por organizatore.
Marrë nga Shekulli
Add new comment