E Arta e Koloretos dhe Tirana In da Ghetto
Koloreto Cukali në rubrikën e tij të përjavëshme te Shekulli, një nga këndet e pakta ku stili dhe botëvështrimi prodhojnë një risi në gazetarinë tonë të shkruar, shtjellonte getoizimin e Tiranës. Duke sjellë një shembull nga e përditshmja e tij, një vizitë në një zonë rezidenciale ku jetonte një mik dhe duke e vënë këtë përballë lagjes së vjetër dhe të përherëshme ku ka jetuar vetë, Cukali bën sa një panoramim aq edhe një përballje të qytetit post-komunist shqiptar. Ai i kundërvihet, jo me patetizëm, dizajnimit të Tiranës si qytet të 'neve' dhe 'atyre', 'të pasurve' e 'të varfërve'. Në zonat rezidenciale ai vëren ajrin e pastër, rregullin, rojen te porta dhe ekskluzivitetin. Ky zhvillim me mendësi getoje është jetëshkurtër dhe i paperspektivë, sipas tij. Sepse, thekson Cukali: "Qytetet, zhvillohen si e tërë, e jo si copëra torte. Sepse, qytetet nuk hahen. Ato, jetohen. Dhe, jetohen të tërë bashkë." Nëntitullin e parë të shkrimit, të cilin, si qytetin a tortën, e ka ndarë në pjesë, e quan In Da Ghetto duke luajtur, hamendësim i imi ky, me gjuhën e këngëve të hip-hop-it amerikan, mishërim pikërisht i kulturës së getoizimit: shkëlqimi i makinave, femrave dhe Dom Perignionit përballë së shkuarës dhe së tashmes së mjedisit rrethtues; mizerjes, analfabetizmit dhe mbeturinave nëpër rrugë. Cukali e mbyll Arta t'Artën e kësaj jave te Shekulli me një mesazh: "Cilësia e një qyteti, nuk matet me lagjet e veta të pasura, por me lagjet e veta të varfëra. Ndaj dhe Tirana, vlen sa Kodra e Priftit. Për këtë nuk i bëhet vonë askujt. Por kjo s’do të thotë që ata që jetojnë në ‘Kodrat e Priftëve’ nuk do e dinë, apo nuk do e kuptojnë. Herët a vonë."
L.A.
Add new comment