DSK-ja ka ende llogarira për të mbyllur. Tani në Francë.

Dominique Strauss-Kahn ka zgjidhur problemet me drejtësinë amerikane, dhe me shërbyesen e hotelit që e paditi për përdhunim (rezultoi një akuzë e pabazë), por në Francë është ende e pazgjidhur dhe e papërfunduar një histori e ngjashme. Këtë herë, personi që bën denoncimin nuk bën pjesë në ndonjë personel hoteli. Ajo është franceze. Është e sofistikuar kulturalisht. Quhet Tristane Banon. Është 32 vjeç sot, por denoncimi mbi DSK-në ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur në vitin e largët 2003. Është shkrimtare dhe gazetare.
Dje patën ditën e ballafaqimit në polici. Pas shumë kohësh ishin pranë e pranë, të ndarë nga një polic, në katin e 10 të një ndërtese të bukur e hijerëndë, ku janë zyrat e institucionit të hetimit për raste të tilla. Të dy nuk shkëmbyen asnjë fjalë me sho-shoqin. Ligji francez nuk e lejon që ata t’i drejtohen njëri-tjetrit, ndërsa janë duke deponuar. Secili iu mbajt pretendimeve të veta, dmth DSK tha se “po, është e vërtetë, jemi takuar për një intervistë, dhe në një moment, ngaqë e interpretova sjelljen e saj të ngrohtë si një ftesë për të shkuar pak më tutje, unë tentova ta puth. Ajo nuk desh, dhe u largua. Kaq. Të tjerat janë frut i imagjinatës së saj”, ndërsa Tristane Banon tha se “ai ka tentuar t’më përdhunojë, më ka shqyer jeans-et, më ka shqyer gjimbajtëset, dhe nëse unë shpëtova, kjo i dedikohet rezistencës sime dhe fatit që munda t’ia mbathja”.
Dje në mbrëmje, shkrimtarja Tristane Banon, u shfaq në kanalin Tf1, në lajmet e orës 20.00. Ishte e sigurtë, e qetë, gojëbrisk dhe e pakompromis. “E përbuz atë njeri. Nuk pati as kurajon t’më shihte në sy”, tha. DSK-ja vetë nuk u bë i gjallë në TV. Ai thjesht u dhuroi kamerave një buzëqeshje të plotë e të gjatë prej babaxhani, të cilit po i bien në qafë, në momentin që doli nga ballafaqimi me akuzuesen e tij. Mendon se e ka mbyllur këtë histori me kaq. Por nuk duket kështu.
E.G.
Add new comment