A do kemi ndonjëherë shtet?

Në shëtitoren kryesore të qytetit të Rrëshenit, mú në qendër, hajdutët e natës janë ndjerë si në shtëpinë e tyre. Kanë thyer njëri pas tjetrit tre lokale të bisnezeve të ndryshme, dhe pa u hyrë asnjë gjëmb në këmbë kanë filluar çmontimin nga muret të plot 10 televizorëve plazma. Më pas, pa u shqetësuar nga askush kanë ngarkuar mallin në mjetet e tyre dhe janë larguar qetësisht, pa i prishur gjumin as policisë së shtetit. Po ashtu raportohet se janë vjedhur edhe 4 transformatorë të energjisë elektrike, dhe në kufirin Milot – Mirditë është marrë një sasi e konsiderueshme e fibrës optike, duke e lënë të gjithë zonën pa asnjë mundësi komunikimi.
Të bësh një masakër të tillë në mes të qytetit, përballë sheshit ku janë institucionet e mbetura të një qyteti, është si të mos ketë shtet në asnjë qelizë. Një situatë e tillë ka qenë e pritshme qysh nga momenti që të gjitha institucionet janë larguar nga Mirdita; madje edhe policinë e kanë tkurrur në mënyrën më ekstreme të mundshme.
Është e sigurtë që shteti “i pjeshkëve dhe dardhave” jo me larg se nesër do t’i lajë duart si Ponc Pilati duke larguar tre policë të gjorë që kanë qënë mbrëmë në turn, e të cilët nuk kanë mjet tjetër patrullimi, veç një makine rrangallë që e shtyjnë rrugëve ngaqë u mungon karburanti; makina tjetër është parkuar prej kohësh në komisariat, pasi gjatë patrullimit i ka rënë motorri në tokë.
Kjo është një nga arsyet, që elementi kriminal është trimëruar në ekstrem, dhe masakrat, vjedhjet, madje dhe vrasjet realizohen në mes të qytetit pa u trazuar nga askush.
Aleksandër Ndoja
Add new comment