Dita e djeshme në faqet e gazetave të sotme

Postuar në 01 Nëntor, 2011 03:42

Është interesante të ndjekësh reagimin e gazetave në ditë të mbushura me lajme të forta, pasi tek qëndrimi ndaj këtyre lajmeve mund të lexohet qartë orientimi i tyre. Po e ilustrojmë. Dje, lajmet më të rëndësishme ishin tre (nuk po i veçojmë mbi bazën e një Common Sens-i, por mbi bazën e vëmendjes mediatike që kanë fituar): 1. Opinioni i ekspertëve lidhur me video-përgjimin; 2. Diskutimi mbi ligjin e plehrave (nisi rishqyrtimi në Kuvend, dhe u prononcua fort kryeministri); dhe 3. Përfundimet e ekspertëve të mjekësisë ligjore lidhur vdekjen e oficerit të SHISH-it, Isa Çopa.

Shekulli mban në fokus ligjin e plehrave, që përbën një lloj kauze të tyre, e prandaj si titull kryesor në faqe të parë kanë zgjedhur “Kuvend, ligji i plehrave rikthehet me ndryshime”. Titulli i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me opinionin e ekspertëve në çështjen “Meta”; këtë lajm e kanë mbuluar në dy faqe të plota.

Gazeta Panorama i ka drejtuar reflektorët në një lajm tjetër, i cili ka thithur më pak vëmendjen e të tjerave: “Emrat për Bankën e Shqipërisë, PS-ja propozon Ermelinda Meksin”. Si lajm të dytë në faqe të parë kanë çështjen Çopa, por brenda ky lajm nuk zë më shumë se 1/3 e faqes. Lajmi mbi videopërgjimin mezi bie në sy në faqe të parë, por në hapësirat e brendshme merr dy faqe të plota; pothuaj e gjithë hapësira i lihet në dispozicion ekspertizës së paraqitur nga tre ekspertët; në një cep publikohet reagimi i Dritan Priftit. Tema ecën në një drejtim të kundërt. Në çdo pikëpamje ajo ka në qendër të vëmendjes atë që ka ndodhur në Gjykatën e  Lartë, ku është për gjykim Ilir Meta.

Shqipi ka për titull kryesor në faqe të parë “Ilir Meta drejt pafajësisë”, dhe në dy faqet që kanë lënë në dispozicion për këtë lajm, ekspertiza e treshes Pollo-Beqiri-Rrahmani trajtohet si skandal. Çështja Çoba është lajmi nr. 2. Mbi problemin e plehrave Shqipi nuk merret. Të njëjtën gjë bën dhe Mapo, dmth nuk ka asgjë mbi diskutimin mbi ligjin e plehrave në faqe të parë. Ndërsa për dy lajmet e tjera ka një optikë të kundërt me atë të Shqipit. Çështja Çopa del në plan të parë, ndërsa videopërgjimi Prifti-Meta në plan të dytë.

Përsa i takon Gazetës Shqiptare, ajo ka një logjikë të vetën, që dallon nga të tjerat. Ajo është tërhequr nga lajme të tjera, të tipit “Ahmet Zogu diktator”, “Djali i Fatmit Xhindit deputet (ky është kryelajmi)”, “Helena Kadare flet për vajzat”, etj.

Ky është një vështrim mbi faqet e para të gazetave kryesore.

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.