Cila Amerikë do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale?
Pak njerëz duhet të dinë këtej nga anët tona se Milton Friedman, ekonomisti i famshëm që mori çmimin Nobel e që u shndërrua në ikona intelektuale e konservatorëve amerikanë, është autori i një seriali televiziv me titull “Free to Choose” (Liria për të zgjedhur), që u transmetua në televizionin publik në fillim të viteve ’80, kur në pushtet po përurohej era Reagan. Në këtë serial, Friedman shenjtëronte tregun e lirë, thosh se ky treg, nëse lihet të funksionojë lirisht, mund të prodhojë mbrothësi për të gjithë, etj, etj.
Nobelisti tjetër i këtyre kohëve tona, Paul Krugman, e fillonte shkrimin e tij të publikuar në New York Times duke evokuar titullin e këtij seriali, dmth Free to Choose. Por puna është, thotë Krugman, se sot kredoja e ekonomistit gjenial të atyre moteve duhet të lexohet Free to Die (Liria për të vdekur). Dhe kush na ka ndjekur në respublica.al e merr me mend se ku don të dalë. Para dy ditësh ne dhamë lajmin, se në një debat mes kandidatëve republikanë për postin e Presidentit, pyetjes së Wolf Blitzer-it të CNN-it, se “a duhet ta lëmë të vdesë një njeri të sëmurë që, prej shkudjesjes, ka harruar të sigurohet për shëndetin?”, salla konservatore iu përgjigj në kor “Pooooo”. Kandidati, të cilit iu bë kjo pyetje (Ron Paul), u spërdrodh pak prej sikletit, por nuk ia mbajti të kontrastonte me sallën.
Paul Krugman është gjendur i shock-uar prej kësaj situate. Dhe merret pak me argumentin. Për t’u bërë sa më bindës për konservatorët amerikanë (nuk dihet se sa lexohet Krugman-i prej konservatorëve, në fakt), ai gjen për aleat një hero të tyren, Friedrich Hayek-un, i cili në librin e tij “The Road to Serfdom” (rruga drejt skllavërisë) mbron idenë e një sistemi të asistencës sociale me synimin për të mbrojtur qytetarët nga rreziqet e fati i keq në jetë. Republikanët e kanë pasur të tyren këtë tezë kohë më parë. Madje, sipas Krugmanit, plani i fundit i shumëdiskutuar i Obama-s për Kujdesin Shëndetësor, është i ngjashëm me planet e pazbatuara të republikanëve në të shkuarën para-Bush-iste, apo me planin që u adoptua nga Mitt Romney në Massachusetts. Mitt Romney? Po, po, Mitt Romney, një nga kandidatët republikanë për postin e Presidentit. Madje, një nga kandidatët me kuotat më të mira. Hë për hë.
Si përfundim, thotë Krugmani, në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, zgjedhësve do t’u duhet ta refuzojnë idenë e Amerikës kompasionale, në të cilën ata janë rritur (nëse do votojnë për republikanët). Ose ta mbrojnë atë ide (nëse votojnë për demokratët). Të shohim se ç’do ndodhë.
M.Nano.
Add new comment