Arjan Selimi ka qenë në arrest shtëpie; e vranë në rrugë

Postuar në 28 Shtator, 2011 08:56

Dje dhe sot ka patur një lajm kryesor: egzekutimi i Arjan Selimit. Dhe me të drejtë faqet e para të të përditshmeve kanë patur në fokus këtë ngjarje. Por në mënyrën më të habitshme lihet pa u përmendur një detaj “i vogël”: Arjan Selimi është vrarë, ndërsa ka qenë në arrest shtëpie. Në këtë kuptim, është njësoj si të jetë vrarë në burg. Me fjalë të tjera akoma, është njësoj si t’ia kenë vrarë shtetit në duar.

Viktima është dënuar para ca kohësh me rreth 16 vjet burg, dhe më pas çështja është kthyer për rigjykim nga Gjykata e Lartë. Pas këtij momenti, Selimit i është shuar masa e sigurimit “arrest në burg” për shkak të tejkalimit të afateve proceduriale, dhe për rrjedhojë është vënë nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi”. Kjo do të thotë se ai ka qenë 24 orë i survejuar në shtëpinë e vet, nga e cila nuk mund të dilte, dhe kjo masë ka kuptimin edhe për t’mos e lejuar atë të jetë i rrezikshëm, edhe për t’mos e lënë të jetë I rrezikuar. Mirëpo marrim vesh se ai paska lëvizur lirisht (këtë e dëshmon në intervistën e vet edhe Sokol Koçiu, që ka qenë me të deri disa sekonda para se ta vrisnin). Policia e Republikës doli për t’na thënë se “po heton në disa pista” (kur policia bën deklarata të tilla, do të thotë se nuk janë duke hetuar në asnjë pistë), por ne do na duhej një polici tjetër që të hetonte policinë në fjalë për faktin që e ka lënë pa mbrojtje viktimën, dhe e ka lënë të lirë në kundërshtim me vendimin për ta mbajtur në arrest shtëpie.

Pyesim dhe njëherë: si ka mundësi që askush nuk është marrë me këtë detal “të vogël”?

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.