Amy Winehouse, fundi i një jete të trazuar
Dje, në orët e pasdites, u shpërnda lajmi se ish gjetur e vdekur në shtëpinë e saj Amy Winehouse, 27 vjeç, këngëtare me jetë boll të trazuar dhe shumë e suksesshme (ka shumë njerëz që jetën e trazuar të sajën e lidhin me suksesin). Koncertin e fundit, të trazuar dhe atë, e dha në Beograd, në prani të 20 mijë vetëve, ku e pritën me fishkëllima e të shara, pasi ish e dehur, këngët mezi i belbëzonte, nuk arrinte dot të ndiqte muzikantët e vet, dhe braktisi skenën nja dy herë.
Shkaku i vdekjes ish fillimisht i paqartë, por më pas, me kalimin e orëve, filloi të dalë në dritë e vërteta që hamendësohej: vdekja kish ardhur prej një cocktail-i drogash të forta. Bota e muzikës po e vajton, megjithatë. Si punë të parë, “e anëtarësuan” shpejt e shpejt në Klubin e 27 Vjeçarëve, që s’është gjë tjetër, veçse klubi i artistëve që kanë gjetur vdekjen në atë moshë. Çuditërisht nuk janë pak. Është basisti i grupit Rolling Stones, Brian Jones, që e gjetën të mbytur në pishinë në rrethana të dyshimta e të pasqaruara, është Jimi Hendrix, kitaristi legjendar që vdiq pas të vjellash të provokuara prej alkoolit të tepruar, është Janis Joplin që dha shpirt prej overdose-ash të njëpasnjëshme, është Jim Morrison që pësoi krejt papritur një arrest kardiak, dhe në fund është Kurt Kobain, leader-i i grupit Nirvana, që u vetvra me armë zjarri.
Sot të gjitha gazetat e botës flisnin gjerë e gjatë mbi këtë ngjarje. Gazetat shqiptare heshtnin (bën përjashtim Shekulli). Kanë menduar se ajo nuk ishte e njohur për publikun e këtushëm? Apo kanë qënë tejet të fokusuar tek kryesia e re e PD-së? Apo tek emri i vajzës së sapolindur të Lul Bashës? Apo tek deklaratat e ndonjë ambasadori me famën e një rock-star-i në Shqipëri?
Add new comment