Alternativat e vështira për daljen nga kriza financiare europiane

Postuar në 10 Gusht, 2011 08:39

Robert J. Samuelson, opinionist ekonomik i gazetës "Washington Post", analizon në një artikull të djeshëm alternativat për daljen nga kriza financiare europiane. Shkurtimi i shpenzimeve shtetërore, sipas tij, mund të dëmtojë ekonominë e vendeve europiane – sa më pak pará të shpenzojnë qeveritë, aq më pak do të rritet Produkti i Përgjithshëm Bruto e, për pasojë, edhe të ardhurat e mbledhura nga taksat. Dhe qeverive do t'u duhet ose të rrisin borxhin ose të shkurtojnë përsëri shpenzimet.

Një alternativë tjetër mund të jetë emetimi i bonove të përbashkëta europiane të thesarit. Por kjo mund të mos pranohet nga votuesit gjermanë, thekson Samuelson-i, sepse i bie që ata të marrin borxh për llogari të shteteve që kanë abuzuar me shpenzimet publike.

Një alternativë e tretë mund të jetë blerja masive nga Banka Qendrore Europiane e bonove të thesarit të shteteve në rrezik. Por kjo, sipas Samuelson-it, do të sillte me vete rrezikun e inflacionit, sepse, në këtë rast, banka do të jepte euro në shkëmbim të ca letrave që premtojnë ripagim të borxhit në një datë të ardhshme. Pra, do të rritej ndjeshëm masa e parasë në qarkullim, që, nga ana e saj, rrit mundësinë e inflacionit.

Një alternativë e katërt është mospagimi i plotë ose i pjesshëm i borxhit nga shtetet në rrezik. Por kjo, sipas Samuelson-it, do të falimentonte shumë nga bankat europiane që i kanë dhënë borxh qeverive të tyre. E për pasojë, ekonomia europiane do të dëmtohej rëndë, duke mos prodhuar kështu të ardhurat e nevojshme buxhetore nëpërmjet taksave.

Një alternativë e fundit, përtej kufijve të Europës, është ajo e ndërhyrjes së fuqishme të FMN-së. Por një ndërhyrje e tillë, thekson Samuelson-i në artikullin e tij, duhet të financohet nga shtete me rezerva gjigande valutore, si për shembull vendet e pasura arabe dhe Kina, rezervat e së cilës arrijnë në 3.2 trillion dollarë. Dhe një financim i tillë nga këto vende do të përbënte një transferim të rrezikshëm të fuqisë dhe prestigjit gjeostrategjik drejt tyre.

E.Z.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.