Aleanca “Faq’e Zi” – një makth i Berishës

Postuar në 15 Shtator, 2011 09:21

Në ceremoninë për hapjen e qendrës së të dhënave për procesin e ri të censusit të popullsisë dhe banesave, Berisha nuk mungoi të sulmojë për të n-tën herë Aleancën Kuq e Zi, e cila ka bërë një fushatë të fortë kundër deklarimit të besimit fetar dhe përkatësisë etnike, si dhe ka zhvilluar edhe fushata të tjera me ngjyra të forta kombëtariste. Berisha i quajti atavizma qëndrimet e kësaj aleance. “Kjo lëvizje quhet ‘Faq’ e Zi’. Nuk kam asgjë me mendimet e tyre atavike - jam i bindur se këto mendime nuk ua dëgjojnë as anëtarët e familjeve të tyre - por mua më shqetëson fakti se ata keqpërdorin detyrën e lartë shtetërore për qëllime meskine personale,” -tha ai.

Duke gjykuar nga sulmet e shpeshta që i ka bërë Berisha “Aleancës Kuq e Zi”, kuptohet se ai nuk e ka hallin te qëllimet personale të udhëheqësve të saj, por tek synimet politike të tyre. Ai duket se i trembet një ndarjeje të votës së djathtë, në qoftë kjo aleancë kthehet në një parti politike kombëtariste. Një ndarje të tillë ai e provoi në kurriz në vitin 2001, kur partiza e djathtë e krijuar nga Genc Pollo mori rreth 6% të votës popullore. Ndërsa Fatos Nano e pësoi nga një ndarje e ngjashme në 2005-ën, kur LSI-ja mori rreth 8% të votës popullore.

Pavarësisht se mburret pa pushim me avantazhin që koalicioni i udhëhequr prej tij pati në votën popullore në zgjedhjet e 8 majit (prej rreth 140 votash), Berisha e di se ky avantazh nuk merr parasysh rreth 60 mijë votat që mori PBDNJ-ja, e cila zyrtarisht nuk ishte pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Rama, por që praktikisht ishte. Gjithashtu, ai e di se kontribut në atë avantazh dha edhe PDIU-ja e Shpëtim Idrizit me rreth 64 mijë vota, të cilat mund të shkojnë te Rama në qoftë se koniukturat ndryshojnë para ose pas zgjedhjeve.

E.Z.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.