Zgjedhjet SHBA, Romney fiton në tre shtete

Postuar në 04 Prill, 2012 03:34

Mit Romni ka bërë tripletë në zgjedhjet primare të republikanëve. Pasi ka “pushtuar” Uashingtonin dhe Merilendin, Romni ka fituar edhe në Uiskonsin.

Ish-guvernatori i Masaçusets ka thelluar kështu edhe më shumë avantazhin përsa i përket delegatëve nga kundërshtari i tij Rik Santorum. Romni është gjithmonë e më shumë pranë arritjes së 1144 delegatëve, numër që siguron matematikisht nominimin për në Shtëpinë e Bardhë.

Me këto tre fitore Romni ka arritur kuotën e 600 delegatëve dhe me shumë mundësi do të jetë ai kundërshtari i Obamës më 6 nëntor.

”Kemi fituar kudo, është një mbrëmje e madhe. Fatkeqësisht për Amerikën, Obama mendon se po bën një punë të mirë, por nuk është aspak kështu. Ai kërkon ta shndërrojë vendin tonë në një shoqëri të bazuar në rolin e qeverisë së tij. Ne duam të kthejmë Amerikën në një vend mundësish dhe lirie ekonomike. Obama thotë se e dashuron ekonominë, por urren biznesin”, theksoi Romni në një fjalim të mbajtur në Miluoki.

Ndërsa Santorum deklaroi se nuk është dorëzuar ende: “Jemi në pjesën e parë të ndeshjes. Shumë njerëz duhet të votojnë ende.”

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.