Zbuloi eksplozivin në makinën e prefektit, dekorim dhe rritje në detyrë për gardistin

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i akordoi Medaljen “Për Trimëri” efektivit të Gardës së Republikës, Petrit Doka, i cili zbuloi eksplozivin në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, pak ditë më parë. Sipas njoftimit të ministrisë “medalja motivohet për cilësi të veçanta, kurajo e guxim në realizimin e detyrave, misioneve dhe zgjidhjen e situatave të jashtëzakonshme. Rreshteri i Gardës së Republikës Petrit Doka është ngritur me një gradë në detyrë para kohe, si dhe iu dha një rrogë shpërblim”.
Sipas kësaj ministrie duke kryer me korrektësi detyrën dhe falë vigjilencës, Doka ka shmangur rrezikun potencial, të një shpërthimi me eksploziv brenda territorit të Objektit të Rëndësisë së Veçantë.
Efektivi Petrit Doka ishte me shërbim në ambjentet e selisë së Kryeministrisë, kur në datë 13 dhjetor 2013, nga kontrolli i specializuar i ushtruar në hyrje të zonës së brendshme të Kryeministrisë, është konstatuar se në pjesën e poshtme të automjetit tip “Peugeot” me targa “TR 5066 N”, në pronësi të shtetasit Besnik Dervishi, me detyrë prefekt i Vlorës, ishte vendosur një sasi eksplozivi.
Ministria e Brendshme bën të ditur se çështja është në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Mapo
Add new comment