Vrasja e gjyqtarit, Nishani: Të orientuar tek pista për pronat

Postuar në 11 Tetor, 2011 15:55

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani shprehet se vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi më 9 Shtator në Vlorë nga provat e deritanishme nga grupi hetimor të orienton në pistën për konflikt pronësie. Në një intervistë në emisionin e TVNews24, “5 pyetjet nga Babaramo”, Nishani u shpreh se nuk ka prova se vrasja ka ndodhur për shkak të detyrës.
“Pas prononcimit publik të familjarëve pothuajse po orientohet pista për hetimin, pista e një konflikti për pronat”.
Megjithatë ministri Nishani u shpreh se nuk mund të bëjë të ditur se deri në cfarë pikë janë hetimet rreth vrasjes së gjyqtarit.
“Nuk them dot në cfarë pike janë hetimet. Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit nuk kanë fuqi hetimore, procesi i hetimit bëhet nga prokuroria. Policia e Shtetit vepron mbi baza dhe rekomandime të caktuara”.
Nishani më tej theksoi se nuk mund të bëjë të ditur detaje rreth hetimeve pasi janë sekret. “Është sekret hetimor fakti deri ku kanë arritur hetimet, është tërësisht në duart e prokurorisë, ajo që dua të them është ngjarje jashtëzakonisht e rëndë. Policia e Shtetit është në dispozicion të prokurorëve për të kryer cdo veprim dhe cdo urdhër të Prokurorisë”.
Nishani siguron se për zbardhjen e ngjarjes janë vënë në krye të hetimeve eksperë shumë të aftë, ndersa thekson se vrasja ka qene krim i organizuar.
“Policia e Shtetit i ka dhënë grupit hetimor informacione të rëndësishme që besojmë se kanë ndikim të madh në zbulimin e ngjarjes. Unë besoj plotësisht nëse ka vullnet institucional kjo ngjarje do mund të zbardhet. Në krye të grupit hetimor janë vënë specialistë shumë të aftë”.
Ndërsa i pyetur rreth ngjarjeve të 21 Janarit, ku mbetën të vrarë 4 persona pas një proteste të opozitës, Ministri tha se duhet një hetim i plotë dhe i gjithanshëm për organizatorët e protestës së 21 Janarit.
“Askush të mos cuditet nga armët e dhunshme që janë imponuar nga individë të ndryshëm apo grupe të ndryshme individësh, u godit kryeministri me bomba molotov, u shpërthye dera kryesore, por edhe ky mbetet hetim i prokurorisë”, tha Nishani. 
Kurse lidhur me situatën politike, Nishani në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, i pyetur rreth përgjigjes për dhënien ose jo të statusi të vendit kandidat të Shqipërisë në BE, shprehet se kjo përgjigje do të jetë negative ndërsa bën fajtore për këtë opozitën.
“Sa kohë realizimi i këtyre reformave të kërkuara nga BE është kthyer në platformë politike nga qeveria, por bëhet një bllokim i tyre nga ana e PS dhe z Rama nuk ka ndonjë gjë për të zbuluar në këtë mes se kush është fajtori”.
(d.b/BalkanWeb)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.