Vetëvrasja e 77 vjeçarit, protesta në Athinë dhe Selanik

Greqia është tronditur nga vetëvrasja e pensionistit 77 vjeçar, mëngjesin e së mërkurës në qendër të Athinës. Mjaft njerëz u mblodhën pasdite, pranë vendit ku i moshuari fatkeq qëlloi veten dhe vendosën lule.
Thirrja për grumbullimin e tyre, u përhap nëpërmjet rrjeteve sociale të internetit. Në mesditë, në facebook u krijua një faqe me titull "Të gjithë në sheshin Sintagma (Athinë), për të mos u mësuar me vdekjen" dhe "Të gjithë në Kamara (Selanik), për të mos u mësuar me vdekjen”.
Njerëzit protestuan përpara parlamentit në Athinë, ku nuk munguan edhe episodet. Ata lëshuan kokteile molotov mbi policine dhe kjo e fundit u përgjigj me kimikate. Protesta pati edhe në qytetin e Selanikut.
“Vetëvritem që mos iu lë borxhe fëmijëve të mi. Nuk gjeta asnjë zgjidhje tjetër, sesa një fund të tillë, para se të filloj të kërkoj në plehra për ushqimin tim dhe t’iu bëhem barrë fëmijëve të mi", shkruante pensionisti në letrën që kishte lënë.
"Përmbajtja e shënimit është zëri i babait tim, përmbajtja politike e aktit të tij," tha dje e bija e pensionistit, e cila është gazetare dhe aktiviste, anëtar i Shoqatës së miqësisë greko-palestineze.
Për ngjarjen reagoi kryeministri i Greqisë Lukas Papadhimos. "Është tragjike që një qytetar i yni t’i japë fund jetës së tij. Në këto kohë të vështira për shoqërinë tonë, ne duhet të gjithë, shteti dhe qytetarët, të mbështesim njerëzit e dëshpëruar pranë nesh", tha kryeministri Lucas Papadhimos.
Kryetari i PASOK-ut, Evangelos Venizelos, duke iu referuar ngjarjes tragjike, deklaroi: “Ngjarja është kaq tronditëse, saqë nuk pranon asnjë koment politik. Le të mendojmë për gjendjen e vendit tonë, me nocione solidariteti kombëtar dhe kohezioni”.
I tronditur për ngjarjen u deklarua edhe lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras. Ai theksoi se kjo nuk është vetëvrasja e parë. “Vdekja nuk është vetëm falimentimi, por edhe që njerëzit të jetojnë pa shpresë”, theksoi Samaras dhe shtoi: “Kjo e bën obligimin tonë më emergjent që të nxjerrim grekët nga dëshpërimi”.
Ngjarja
Një ngjarje tragjike ka tronditur sot rreth orës 09.00 të mëngjesit kryeqytetin grek, në qendër të të cilit një 77 vjecar vendosi t’i japë fund jetës së tij.
Në sheshin më të populluar të Athinës, Sintagma, rreth 50 metra nga parlamenti grek, pranë shkallëve të metrosë, një burrë i moshuar i dha fund jetës së tij me një plumb në kokë, para syve të kalimtarëve.
Policia dhe ambulanca mbërritën menjëherë në vendngjarje. Policia nisi hetimet për të zbardhur detajet e ngjarjes, por persona që u ndodhën në ato momente afër 77 vjeçarit, thanë se fjalët e fundit të viktimës ishin: "Do iki, që mos iu le borxhe fëmijëve". Dëshmitarët thanë gjithashtu se në momentin që u dëgjua e shtëna e armës, kalimtarët u tmerruan. Ora që zgjodhi viktima për t’u vetëvrarë, është ora më e populluar në sheshin Sintagma në Athinë.
Një kushtet e krizës financiare që po kalon Greqia dhe për shkak të masave të ashpra që rëndojnë mbi popullatën, është rritur mjaft numri i vrasjeve dhe tentativave për vetëvrasje.
Ballkanweb.com
Add new comment