Veliaj: Nëse drejtësia do lodhet nga dosjet, drejtësinë s’do ta bëjnë më këta “të lodhurit”

Postuar në 11 Janar, 2014 11:54

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e sheh fotografinë e katër muajve të parë të qeverisë si një ofensivë frontale  kundër paligjshmërisë, që u premtua në fushatë dhe që publiku po e mbështet. “Dhe drejtësia do të përfshihet në reformë. Nëse ju gjykoni se drejtësia do lodhet, duhet të sigurohemi me gjithë mjetet ligjore që drejtësinë të mos e bëjnë më këta ‘të lodhurit’, por një gjeneratë e re dhe e palodhur që Shqipërisë nuk i mungon”, thote ai per Mapo-n.

 Mbyllja e lojërave të fatit, disa shembje simbolike të ndërtimeve, buxheti i kursyer i krizës dhe shumë denoncime për korrupsion …. Duken si pak dhe të fragmentarizuara për një bilanc katërmujor qeveritar?     

Përkundrazi, kanë qenë sistematike – një ofensivë e pakompromistë ndaj paligjshmërisë. Shikojeni fotografinë e madhe – është ndërhyrë në anulime koncesionesh që kanë marrë padrejtësisht pasuri kombëtare, në furra gëlqereje e gomash që helmojnë njerëz, në prerje pyjesh që shkatërrojnë ‘pajën’ që u lëmë fëmijëve tanë, në vjedhjen e ndihmës ekonomike që privon mijëra nga buka e gojës. Nuk më rezulton asnjë fushë paligjshmërie që sot nuk ka hasur murin e fortë e të vendosur të shtetit. Disa e kanë ‘sport intelektual’ argumentin pse filluat këtu e jo aty, por e vërteta e thjeshtë është se publiku e mbështet këtë aksion frontal. Këtë premtuam në fushatë, këtë po bëjmë në qeveri.

Por të gjitha këto kanë pikëpyetje nga pas. Së pari ligjshmërinë dhe mungesën e projekteve përfundimtare në kantieret e hapura. Të gjitha të atakueshme në gjykata që do të duhet të japin dëmshpërblime të mëdha; ngjajnë selektive dhe pa zgjidhje ligjore afatgjata….

Ky është spekulim, tingëllon ‘sexy’, por është spekulim. Ç’mund të thotë gjykata nëse dikush është shëndoshë e mirë, por ka marrë pagesë si invalid? Nëse është rërë e plazh dhe ka bërë pallat pa leje? Nëse ka mashtruar tatimet e doganat me kompani fiktive? Ka ardhur koha ta zbusim këtë zell të mbrojtjes për ‘të fortët’ e paligjshëm të deridjeshëm, e të shqetësohemi më shumë për të mbrojtur të dobëtin, të ndershmin e të drejtin. Vëmendja s’duhet të jetë mbi qeverinë pse po denoncon padrejtësinë, por mbi drejtësinë që s’duhet ta kthejë të drejtën në ankand. Jo më.

Pakkush ka kundërshtime kur vjen puna për ndëshkimin e korrupsionit, qoftë edhe blu. Por po shohim se po bëhen qindra dosje që kërkojnë energji e kapacitete të mëdha  Mos po bini në sindromin politik se “në kohë krize, zgjidhja e vetme është që t’i hedhim popullit ca të arrestuar….”?    

Makar të ishte ky problemi ynë. Problemi i vërtetë i Shqipërisë është sa PAK dënime jepen për korrupsion, e jo sa shumë. E thonë gjithë vëzhgimet e pavarura ndërkombëtare, por më e rëndësishmja, e thotë çdo shqiptar me mend në kokë e zemër në vend. Kur të lexoj raportin e parë se Shqipëria po ‘e tepron’ me dënimet për korrupsion, do filloj ta konsideroj batutën tuaj.

Lubonja ka mendimin se lufta me korrupsionin duhet të fillojë me “oligarkët” brenda PS që të jetë e besueshme, pasi deri tani kemi vetëm nisje të ndëshkimit të kundërshtarëve politikë…

E çmoj Lubonjën. Në pastrimin e skemës së abuzimeve me ndihmën, e filluam me komuna të majta që kishin bërë shkelje. Por kjo s’duhet kthyer në kompleks – nëse shumica e shkeljeve vijnë nga modeli i shëmtuar i këtyre 8 viteve të fundit, ku koncesione, shtëpi, prona, të ardhura, reklama janë përfituar pa të drejtë, argumenti simetrik për ata që këto i denonconin në opozitë nuk ka shumë bazë racionale.

Nga ana tjetër, sado dosje që të çoni ju dhe sado të argumentuara të jenë, sërish gjendja e prokurorisë dhe gjykatave do të gërryejë vendimet përfundimtare dhe do të krijojë lodhje… E keni parashikuar këtë? 

Koha do ta tregojë. Dhe drejtësia do të përfshihet në reformë, ministri i Drejtësisë tashmë e ka nisur punën dhe nëse ju gjykoni se drejtësia do lodhet, duhet të sigurohemi me gjithë mjetet ligjore që drejtësinë të mos e bëjnë më këta ‘të lodhurit’, por një gjeneratë e re dhe e palodhur që Shqipërisë nuk i mungon.

Deri tani, përtej vullnetit të mirë kemi parë aksione dhe operacione, por jo reforma të strukturuara që do të jepnin vizionin e qeverisë. Kur do t’i filloni dhe cilat do të jenë të parat?

Kemi filluar. Arsimi është kthyer në një kantier reformash – po rankohen universitetet, testohen mësuesit, votohen drejtorët. Është një ‘plug’ i paimagjinueshëm vetëm 4 muaj më parë. Doganat po pësojnë një transformim total, dhe nisja e “Crown Agents” nga puna këtë muaj veç do ta shpejtojë modernizimin e rrisë të ardhurat. Shëndetësia po kështu – teksa flasim, 800 mijë shqiptarë mbi 40 vjeç testohen falas, kur gjer dje u kërkohej cash në dorë për të kaluar pragun e spitalit. Reforma e re administrative gjithashtu do ta bëjë më eficent pushtetin vendor e do kursejë miliona nga administrata të fryra e abuzime pa kufi në mininjësi vendore të padobishme për qytetarin. Në ministrinë tonë po ashtu kemi filluar modernizimin e ndihmës ekonomike për të shenjestruar nevojtarët realë dhe jo servilët e komunarëve partiakë. Më tej, reforma në pensione që nisim këtë muaj do ndryshojë mënyrën si mendojmë jo veç për të tashmen, por dhe për të ardhmen e vendit që gjithkush të kalojë moshën e tretë me dinjitet dhe pa rrënuar financat e vendit siç ndodh sot. 8 vitet e fundit askush nuk guxoi t’i thyejë këto tabu në këto fusha – ndaj quhen reforma, se ndryshojnë status quo-në dhe ndihmojnë njerëzit, jo pushtetet.

Dy muaj pas mbylljes së historisë së armëve kimike, po përforcohet mendimi se fati i marrëdhënieve me SHBA dhe përfitimeve të vendit mund të ishte i ndryshëm nëse kryeministri do ta kishte menaxhuar më mirë situatën duke e ndarë procesin me aktorët politikë dhe shoqërorë. Në të kundërt, kapitalizimi si sukses personal solli gjithë acarimin dhe rrëmujën që përjetuam…

Në fundore të atij procesi, ndërkombëtarët falenderuan qeverinë dhe protestuesit e duartrokitën vendimin. Po në fundore, partnerët shprehën zhgënjim me opozitën, kurse protestuesit i përzunë. Është evidente kush mori vendimin e drejtë dhe pa interesin e vendit me dinjitet ndaj ndërkombëtarëve dhe kush u mundua ta kapitalizonte politikisht e pabesisht këtë ngjarje. Çdo koment i tepërt fyen inteligjencën e atyre që po na lexojnë.

Mendoni se ai vendim i kryeministrit i ndryshuar rrugës ka lënë gjurmë në raportet me SHBA? Sepse pasojat e asaj ngjarjeje po lidhen me disa qëndrime të SHBA; kontestimin e paketës së re antikorrupsion të qeverisë dhe refuzimin e statusit, ku mungoi lobimi amerikan pro nesh…. 

Jam rritur në Amerikë. Flasin troç e qartë. Siç folën kur falenderuan qeverinë për dinjitetin, dhe përbuzën lojën bajate të PD. Kryeministri nuk ndryshoi qëndrim, dëgjoi gjithë argumentet në kohën që ish dakordësuar për të dëgjuar, dhe mori vendimin e drejtë në kohën që ish dakordësuar për të vendosur. Statusi s’duhet ngatërruar me këtë – Amerika kurrë s’do kish ‘lobuar’ me forcat ekstremiste anti-zgjerim. Qëllon që shumë prej tyre janë dhe anti-zgjerim në NATO, ku SHBA udhëheq. Ndaj le të mos krahasojmë mollë me portokalle. Ky është një moment i keq për Europën – rritja e të djathtës ekstreme. Kemi parë ç’i ka bërë e djathta ekstreme Shqipërisë, mjafton të përdorim imagjinatën për Evropën.

Rama ka përsëritur se në PS ka “vluar” gjithmonë ngaqë në atë shtëpi politike ka njerëz të gjallë, me kokën mbi supe dhe që kanë mendimin e tyre. Por pakënaqësia e tyre e vluar mund të shpërthejë një ditë, kur qeveria mund të ketë nevojë. Një rast ishte debati për buxhetin ku shumë prej “senatorëve” “abstenuan” të flisnin në mbrojtje të qeverisë…  

Të gjithë folën për buxhetin. Parlamenti është në seancë plenare dhe në komisione – ndaj dhe them të gjithë folën e u shprehën. Është e natyrshme që në debatin me opozitën, ministritë që kanë detyrë ndarjen e buxhetit si Financat, apo me transferta direkte cash tek qytetari si Mirëqenia Sociale, ta marrin fjalën disa herë e të sqarojnë rritjen e buxhetit në fushat respektive të linjës. Nuk ka konspiracion pas çdo fije bari, PS mbetet sot shtëpia më e madhe e demokratike e debatit publik, forcë fituese e që di të bëjë shtet e të rimëkëmbë ekonominë pas çdo rrënimi.

Po pakënaqësinë e zgjedhjeve të 23 qershorit, që në shumicë përmbushjen e premtimeve elektorale e masin me punësimin në administratë? Shtoji kësaj dhe emërimet sfiduese të disa krerëve të institucioneve, shumë socialistë po parathonë në heshtje se nuk do të votojmë më si në 23 qershor… Si do ta menaxhoni padurimin e votuesve? 

Në dallim nga PD, nuk e trajtojmë shtetin si vathë, ku një kope del e një kope hyn. Kemi bërë një tranzicion të rregullt pushteti, të paprecedentë në çerek shekulli demokraci. Jemi gjithashtu të vetëdijshëm se 1milion vota nuk janë baras me pak mijë vende në administratë, ndaj po punojmë fort që të modernizojmë zyrat e punës, të rrisim investimet e të fuqizojmë operatorët privatë të cilët – si në çdo vend modern – kanë sot 5x më shumë vende pune se shteti e paguajnë më mirë se në administratë.

Vota e 23 qershorit dhe nja dy ‘peshkime’ deputetësh rrugës duket se i heqin kësaj mazhorance “prej 3/5” alibinë për bllokim të reformave nga opozita. Por nga ana tjetër, reformat pa konsensusin e opozitës janë të përkohshme. Duket si një kurth ku mund të bien lehtë naivët politikë… Cilën rrugë do të zgjidhni?     

Ne nuk i marrim vendimet se jemi të fortë, por se gjykojmë për alternativën e drejtë e të duhur. Pasja e 90 votave nuk na bën më arrogantë, por më të përulur ndaj këtij besimi të jashtëzakonshëm publik. Ndaj po, do kërkojmë gjithnjë kontributin e opozitës, sepse përpara Shqipërisë, interesat e tjera janë të pavlera.

Brukseli, për të dhënë statusin kërkon prova se kjo qeveri e ka seriozisht me vendosjen e shtetit ligjor. Rama këmbënguli edhe tek zhvillimet politike brenda BE. Cilat janë parashikimet për qershorin, pasi tendencat anti-zgjerim pas 6 muajsh do të jenë më të mëdha?

S’dua të spekuloj. Mesa duket forcat e djathta ekstreme në Europë do rriten në Parlamentin Europian në zgjedhjet e majit. Ky është një moment që PD duhet ta shfrytëzojë për të lobuar me këto parti simotra që të zbusin qëndrimet e tyre ndaj zgjerimit e të huajve. Ama një gjë e di mirë – nuk ka LePen e Wilders në botë që na ndalon dot ta bëjmë Europën këtu në Shqipëri – të rimëkëmbim shkollat, spitalet, gjykatat, policinë, doganat, tatimet, hipotekat, pensionet, ekonominë, mjedisin, kulturën e turizmin këtu në vendin tonë. Ky është thelbi, Europën ta ndërtojmë këtu, të tjerat janë detaje që herët ose vonë do ndodhin.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.