Ukrainë, protesta masive për zgjedhjet

Partitë opozitare në Ukrainë janë duke realizuar protesta masive në kryeqytetin Kiev, si rrjedhojë e “fiksimit të rezultatit të zgjedhjeve”.
Sipas opozitës, vonesat e mëdha në numërimin e votave janë realizuar qëllimisht, për të favorizuar deputetët pro-qeveritarë.
Autoritetet mohojnë akuzat dhe kanë paralajmëruar se do të përdorin forcën për të shpërndarë çdo manifestim të paautorizuar.
Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet në Ukrainë nuk i përmbushën standartet e kërkuara. Në një deklaratë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSCE), lexohej: “Zhgjedhjet u karakterizuan nga abuzimi me pushtetin dhe blerja e votës”.
Numërimi pas zgjedhjeve të 28 tetorit ende nuk ka përfunduar, por duket se partia në pushtet e presidentit Viktor Yanukovych ka arritur të sigurojë shumicën, edhe falë mbështetjes së aleatëve komunistë dhe kandidatëve të pavarur.
Partitë e opozitës pritet të sigurojnë vetëm 25% të vendeve të Parlamentit Ukrainas. Liderja e opozitës, Yulia Tymoshenko, ndërkohë vazhdon të mbetet e burgosur, për shkak të akuzave të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit, akuza që sipas shteteve perëndimore mbeten të pavërtetuara.
top-channel.tv
Add new comment