Tropojë, pothuajse gjysma e banorëve me asistencë sociale
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/9069_1_1687.jpg?itok=B8o33sAG)
Njëri prej qarqeve më të prapambetura në Shqipëri është Tropoja. Gjëndja e rënduar ekonomike ka bërë që komunat të përgjysmohen si shkak i lëvizjes masive të banorëve në drejtim të rretheve më të populluara të vendit.Tropoja, e ndodhur në skajin më të largët në verilindje të Shqipërisë, vazhdon të përballet sot me një nivel të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Megjithëse një rreth me pasuri të shumta natyrore, mungesa e investimeve të mjaftueshme dhe e perspektivës ka detyruar pjesën më të madhe të banorëve të largohen drejt zonave më të ulta dhe më të populluara të vendit. Për Kryetarin e Bashkisë së Bajram Currit, Agron Demushi edhe pse qyteti ka nevojë për më shumë investime, mundësia kryesore për përmirësimin e gjëndjes aktuale mbetet bashkëpunimi me qytetet e Kosovës: “Aktualisht janë rreth gjashtë mijë e treqind familje, që trajtohen me ndihmë ekonomike, ndërkohë që po bëjmë përpjekje që të tërheqim sa më shumë investime për këtë zonë. Ndërkaq Tropoja ka filluar urat e bashkëpunimit me Kosovën, ku e gjithë tregtia dhe i gjithë biznesi është i përqëndruar tek disa qytete kryesore si Gjakova, Peja, Deçani, e Prishtina.“
Lekbibaj, në kufi me zonën e Shalës në Dukagjin, është më e varfëra në tërë rrethin e Tropojës. Kryetari i kësaj komune, Gëzim Meshi, thekson se “për shkak të vështirësive të mëdha, që ka kjo zonë e thellë, pushteti vendor po mbështet me ndihmë ekonomike mbi 300 familje, që banojnë atje. Por në ndryshim me komunat e tjera të Tropojës, në Lekbibaj vështirësive ekonomike u shtohen edhe problemet e rendit, të cilat kanë krijuar pasiguri në jetën e banorëve.
Infrastruktura rrugore ngelet njëri nga problemet më serioze, me të cilën përballet sot Tropoja. Autoritetet vendore pohojnë se janë duke hartuar programe dhe projekte konkrete nisur edhe nga mundësitë, që ka zona, ndërkohë që apelojnë për një mbështetje më të madhe zhvillimore në turizëm e bujqësi jo vetëm nga qeveria, por edhe nga shoqatat joqeveritare e ato ndërkombëtare.
Tema
Add new comment