Topi: Politika ka shumë punë për 21 janarin, por sidomos drejtësia ka shumë punë

Tre vjet pasi u akuzua nga qeveria e kaluar si pjesëmarrës në të ashtuquajturin “grusht shteti” të 21 janarit 2011, ish- Presidenti Bamir Topi kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjeve. Duke e cilësuar një prodhim politik, Topi vlerëson se është kjo e fundit që po mban të ngrira dhe hetimet, pasi sipas tij e gjithë ajo çfarë është zbardhur deri më tani është shumë e parëndësishme krahasuar me atë që mbetet ende në errësirë.
“Do të kujtohen ata që kanë vdekur dhe nuk do të kujtohen ata që u plagosën, kjo për shkak të sensibilizimit të kësaj ngjarjeje nga qytetarët dhe nga media. Data e sotme automatikisht të fokuson te 21 janari që vazhdon të mbetet si natë dimri, natë janari, ende e pazbardhur, ndoshta i zbardhur pjesërisht për çështjet më të parëndësishme të tij. Sot flas si kryetar i FRD, por pa dyshim në retrospektivë lidhet me një pozicion të rëndësishëm si ai i kreut të shtetit. Ne jemi përqendruar në një slogan mjaft të rëndësishëm. Për shtetin dhe qytetarët. Duke iu referuar kësaj filozofie, duke iu referuar tre 21 janarëve që kanë kaluar në thelb janë vrarë qytetarë. Është rasti të shprehim dhimbjen tonë për familjet e të vrarëve e të plagosurve. Por duhet të vdesësh në Shqipëri që të përmendesh se është folur pak për të plagosurit, se ka shumë të plagosur, edhe forca të rendit të dhunuar. Nga ana tjetër kemi një dhunim të hapur nga pushteti të autoritetit të shtetit, madje sot e kësaj dite vazhdon të tingëllojë jo më me sensin e përdorimi të keq të fjalës, por vazhdon jehonën ajo shprehja banale, që po të mbeteshin thjesht në aspektin formal nuk do ishin asgjë me terminologjinë e përdorur nga ish-Kryeministri për përfaqësuesit më të rëndësishëm të shtetit. Në esencë filozofia e dhunimit të shtetit nga pushteti”,deklaroi Topi gjatë mbledhjes së kryesisë së FRD-së.
Topi kërkoi që Kuvendi i sotëm me një tjetër shumicë pushtetare duhet të japë përgjigje rreth atij komisioni hetimor parlamentar që u ngrit për ngjarjen e 21 janarit dhe përfundoi pa asnjë raport.
“Duhet të shpresojmë tek ai formacion politik që në themel ka jo pushtetin, por përmes pushtetit të realizojë fortësinë e së drejtës dhe vendosjen në qendër të interesit qytetar. Dimensioni i 21 janarit është kompleks. Pavarësisht problemeve që ka drejtësia së pari është çështja e kredibilitetit. Së dyti ka një dimension politik dhe ky doli i pari në 21 janar. Të gjitha institucionet u baltosën. Çfarë ndodh sot, atë që nuk e zbardhi politika e kanë bërë qytetarët. Unë kam një pyetje për politikën? Cili është fati i atij komisioni hetimor parlamentar që u ngrit me shpejtësi, ku janë ata njerëz sigurisht në parlament. Është rast ekzemplar. Sot parlamenti ka një mazhorancë të re, nëse do t’ia japë dimensionin e plotë politik për të respektuar shtetin dhe institucionet dhe ky është misioni i kësaj force politike, ne do vazhdojmë të bëjmë bilance viktimash. Ju e dini shumë mirë që ata janë në pushtet kujdesen shumë më mirë për karriget e tyre sesa për shtetin”, tha Topi.
Ai ka përcaktuar si emergjencë reformimin e sistemit të drejtësisë, në mënyrë të veçantë të gjyqësorit.
“Politika ka shumë punë për 21 janarin, por sidomos drejtësia ka shumë punë. Historia është shumë e thjeshtë kush e urdhëroi 21 janarin, në ç’mënyrë. Nuk janë urdhëruar vetëm forcat e Gardës, por dhe mjekët. Mbi ç’baza u hodhën akuzat monstruoze. Sa kohë që do ketë njerëz të emëruar politikisht në sistemin e drejtësisë, kryesisht në gjyqësor ai që foli edhe sot por dhe të tjerë që janë implikuar në të tilla ngjarje do vazhdojnë të flasin”, përfundoi ai.
Shqip
Add new comment