Topi në Malësinë e Madhe: Politikanët kujtohen për popullin vetëm në kohë fushate

Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi ishte ditën e sotme në Malësinë e Madhe, ku çeli edhe fushatën elektorale si dhe vijoi dialogun e hapur me qytetarët, duke shpalosur platformë e FRD për zgjedhjet e ardhshme.
Topi bëri të ditur se FRD synon të sjellë një frymë të re në politikën shqiptare, duke vënë në qendër qytetarin dhe nevojat e tij, ndërsa akuzoi politikanët e vjetër se nuk merren me hallet dhe problemet e popullit, por kujtohen për ta vetëm në kohë fushate.
“Sot politika gatuhet në tre restorante të kryeqytetit, ndërsa kur nis fushata zgjedhore, politikanët veshin rrobat e terrenit për të treguar se janë si gjithë qytetarët. Ne jemi në politike për ta kthyer në favor të çdo qytetari dhe shqiptari. FRD pas zgjedhjeve do jetë forcë vendimmarrëse”, tha Topi.
Topi akuzoi qeverinë se ka harruar dhe ka lënë pas dore malësorët dhe të përndjekurit.
“Ky trajtim mospërfillës nuk përbën ndonjë çudi, pasi kryeministri nuk është veçse një ish- komunist i kthyer në demokrat. Kryeministri ka frikë se po humbet pushtetin, ndërsa nga ana tjetër kryetari i opozitës ka frikë se nuk vjen dot në pushtet”, – tha Topi.
SHQIP
Add new comment