Topi çel degën e FRD në Athinë. Biberaj: Jo skenarëve të manipulimit të zgjedhjeve

Kreu i FRD-së, Bamir Topi, mori pjesë në hapjen e degës së kësaj partie në Athinë. I pritur nga disa qindra emigrantë, zoti Topi shpalosi atë që e quan platformën prezantuese të FRD-së në emigracion.
Ai i njohu emigrantët me qëndrimet e kësaj partie për një sërë çështjesh që shqetësojnë politikën shqiptare dhe emigrantët e tha se qeveria dështoi me strategjinë e saj për emigracionin. Sipas Topit, disa njerëz të varfër në Shqipëri dështuan në çështjet e emigracionit, edhe pse fillimisht ishte menduar krijimi i një ministrie të posaçme për emigracionin, asgjë nuk u bë në këtë drejtim.
Ish-presidenti premtoi politika të posaçme për emigrantët nëse kjo parti fiton zgjedhjet e ardhshme dhe u zotua të krijojë kushtet për punësimin e fëmijëve të emigrantëve që studiojnë jashtë shtetit. Në vazhdim, zoti Topi bashkëbisedoi me emigrantët duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me strategjinë e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme dhe politikat e saj për ekonominë, emigracionin, arsimin etj.
“Është një moment i rëndësishëm i organizimit të FRD-së, sepse kjo parti në programin e saj merr parasysh të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Është një emocion i veçantë që takohem me bashkatdhetarët e mi, por edhe një detyrim në të njëjtën kohë”, – u shpreh Bamir Topi.
Biberaj: Jo skenarëve të manipulimit të zgjedhjeve
Nënkryetari i Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj, në një konferencë për shtyp mesditën e së dielës, shprehu shqetësimin e thellë të partisë që përfaqëson për parregullsitë e mundshme në zgjedhjet e 23 qershorit dhe për “nacionalizmin e verbër” që po përdor mazhoranca e kryeministrit Berisha.
“Zgjedhjet e 23 qershorit duhet te jene te lira dhe te ndershme. Partneret amerikane deklaruan se do të ndjekin zhvillimet në Shqipëri. I bëj thirrje mazhorancës të heqë dorë nga skenarët për grabitjen e zgjedhjeve”, deklaroi Biberaj.
Për sa i përket retorikës nacionaliste, ai vlerësoi se “gjatë historisë sonë kemi vuajtur nga nacionalizmat e verbra dhe retorikat e kryeministrit dëmtojnë rëndë interesat e vendit. Ato kanë si qëllim të vetëm largimin e vëmendjes së publikut nga problemet reale të vendit”.
Në konferencën për shtyp, Biberaj falënderoi edhe presidentin Obama, për ftesën personale për pjesëmarrjen në ceremoninë e betimit në 21 janar.
SHQIP
Add new comment