Thaçi rikonfirmohet kreu i PDK: Do të udhëheqim me Kosovën edhe për shumë vite

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë besimin për të drejtuar me PDK-në edhe për 4 vjetët e ardhshme.
Gjithsej të pranishëm në sallë kanë qenë 719 delegatë, ku 718 kanë votuar pro dhe vetëm 1 kundër.
I vetmi që ka kërkuar që zgjedhja në këtë post të jetë me vota, ka qenë pikërisht Thaçi, por që propozimi i tij nuk është pranuar, dhe zgjedhja është bërë me aklamacion.
“Do të udhëheqim me Kosovën edhe për shumë vite sepse kemi pasur sukses. Ju garantoj fitoren në zgjedhjet e ardhshme! Urime!”, ka thënë Thaçi pas riemërimit të tij në postin e të parit të partisë.
“Tërë Kosova po shikon ngjarjet në këtë sallë pasi që këtu do të e ardhmja e këtij. Vizioni ynë është i Kosovës Evropiane. Pas lirisë, pavarësisë, tani do ta përmbushim objektivin e 3: Kosova në BE”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se çdo qytetar i Kosovës do të jetë krenar me punën tonë.
“Duke ju ditur juve, mundemi edhe më shumë. Përgjegjësia jonë duhet të rritet”, është shprehur kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.
Vlen të theksohet se në këtë Kongres, nuk ka qenë i pranishëm Sekretari i Partisë, Jakup Krasniqi, i cili i ka acaruar marrëdhëniet me partinë kohëve të fundit. Ai madje ka paralajmëruar, në njëfarë mënyre, edhe largimin nga partia.
Ndërkaq, në hapje të Kongresit të Gjashtë Zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, është bërë edhe zgjedhja e Kryesisë së Punës.
Për këtë detyrë janë zgjedhur Enver Hoxhaj, Hajredin Kuçi, Flora Brovina, Vlora Çitaku, Xhavit Haliti, Ganimete Musliu, Arsim Bajrami, Drita Kadriu dhe Ramë Buja. /Zëri/
Thaçi pritet të rikonfirmohet lider i PDK
Hashim Thaçi sot pritet të rikonfirmohet për së dyti herë lider i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në kongresin e përgjithshëm të kësaj partie, që nisi dje në Prishtinë.
Analistët politik këtë kongres e kanë cilësuar përçarës dhe me porosi të keqe për këtë parti, që do të rrezikojë përçarjet dhe ndarjet e theksuara, për shkak të mospjesëmarrjes së sekretarit të përgjithshëm, Jakup Krasniqi, veprimtarë dhe përfaqësuesve të tjerë të kësaj partie si dhe mungesës së nënkryetarit Fatmir Limaj, që gjendet në paraburgim.
Kryetari aktual Hashim Thaçi nuk ka kundër kandidat në garën për kryetar. Gjatë punimeve pritet të bëhen ndryshime në statut dhe në program. Një prej tyre, është edhe ndryshimi i emërtimit të Kongresit në Konventë Zgjedhore. Kongresin e shpalli të hapur nënkryetari i PDK-së dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe, siç tha ai, miqtë nga Shqipëria, nga Maqedonia nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi. Në këtë kongres dje fjalime përshëndetëse kanë pasur, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kryetari i LSI, Ilir Meta, nënkryetarja e LDK Teuta Sahatqija, Gerti Bogdani nga PD, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i PDSH-së së Preshevës, Ragmi Mustafa si dhe përfaqësues të tjerë të partive politike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera.
“Vite më parë qytetarët, shumë prej nesh të pranishëm këtu dhe shumë prej atyre të cilët nuk janë në mesin tonë, kishim një ëndërr, të jemi kështu të bashkuar. Shteti i Kosovës dhe ai do të jenë gjithmonë gardian të të drejtave të shqiptarëve, kudo që janë. Bashkimin e kombit e kanë vulosur dëshmorët, ndërsa bashkimi do të ndodhë në BE”, deklaroi Thaçi në fjalimin e tij. Kreu i PDK-së tha se gjithmonë e kanë pasur guximin për të qenë të bashkuar, për të luftuar dhe për të fituar, e kjo u bë nga lufta e UÇK-së, dhe kontribut i të gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Në Kongresin e PDK-së pritet të jenë rreth 700 delegatë, që është numri më i madh që ka pasur ndonjëherë në një proces zgjedhor partiak në vend.
Partia Demokratike e Kosovës nuk ka mbajtur zgjedhje të rregullta që nga viti 2005, përderisa nga ai vit, herë pas here ka legjitimuar strukturat udhëheqëse përmes kuvendeve të jashtëzakonshme, sa për të plotësuar anën formale të ligjit. (INA)
PANORAMA
Add new comment