Thaçi: Do takoja sërish Tadiçin
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/6222_2_178.jpg?itok=cp7elF6J)
Kryeministri Hashim Thaçi, i cili mori pjesë në punimet e Forumit ekonomik për Kosovën në Vjenë, ka thënë se ky forum ishte shumë i rëndësishëm për Kosovën, për faktin sepse, siç tha ai, në këtë forum në radhë të parë u bë një prezantim i rrethanave të reja, të krijuara në Kosovë për investitorët e huaj të cilat i favorizojnë investuesit e huaj.
“Kosova është shtet i ri, por shtet i mundësive të mëdha, i mundësive që unë vetë kam besim se mund të shfrytëzohen maksimalisht prej investitorëve të huaj, të fuqishëm, jo vetëm austriakë por edhe të tjerë nga Evropa e mbarë bota”, ka thënë Thaçi në një intervistë për DW.
Duke e patur parasysh se Forumi ekonomik po zhvillohet në një kohë kur konflikti në veri ka ngrirë dhe është kthyer në një mollë sherri për zhvillimet e mëtejshme në vend dhe rajon, kryeministri Thaçi shprehet optimist për zhvillimet e mëtutjeshme në vend.
“Vendimi i 25 korrikut, për të marrë nën kontroll pikat kufitare me Serbinë 1 dhe 31, kanë qenë vendime të drejta sovrane të institucioneve tona. Sigurisht që problemet nuk ishin të vogla dhe të lehta, pasi për 12 vite ishin grumbulluar probleme të ndërlikuara me njëra-tjetrën. Por theksoj se kjo çështje është thjeshtë çështje rendi dhe ligji. Nuk është çështje politike. Më 25 korrik ëndrra e Beogradit për ndarjen e Kosovës është shuar njëherë e përgjithmonë”, ka theksuar kryeministri Thaçi, duke shtuar se qytetarët në veri të Kosovës kanë qenë të manipuluar nga Beogradi, apo edhe të inspiruar nga për tu shkëputur nga Kosova.
“Ne si qeveri nuk jemi në konflikt me qytetarë serbë të veriut, ne duam të jemi afër tyre, të jemi prezent tek ata me investime, me projekte, me shkolla të reja, ambulanca, kanalizime e rrugë të reja”, ka shtuar më tej Thaçi.
Pyetje: Dhe pikërisht për të gjitha këto mendoni se krjimi i një ministrie do të arrinte t`i zgjidhte të gjitha këto probleme në veri?
Hashim Thaçi: Ka një vemendje dhe përkushtim më të madh nga institucionet e Kosovës. Mendoj, se duhet të punojmë më shumë që të gjejmë zgjidhje më efektive, më të praueshme, më fleksibël që të ofrojnë më shumë për qytetarin edhe në veri. Qeveria e Kosovës funksionon si një e tërë dhe është unike.
Ai nuk e përjashton mundësinë se për zgjidhjen e këtij ngërçi politik, të takohet edhe me presidentin serb, Boris Tadiq. Kryeministri Thaçi, madje mburret se këta dy janë liderët më të votuar në dy vendet përkatëse.
“Ne jemi dy liderët më të votuar në dy vendet tona, presidenti Tadiq dhe unë. Natyrisht në interesin e dy shteteve, të dy popujve tonë, në interes të paqes, të stabilitetit të bashkëpunimit dhe të perspektivës euroatlantike, do të isha takuar me presidentin Tadiq, pasi ne jemi takuar edhe më herët. Çdo takim çdo bisedë, çdo dialog për interesa ndërshtetërore është në interesin e të gjithëve”, ka theksuar kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
Ndërkaq, çështjen e korrupsionit në Kosovë, fenomen që mediet në Gjermani e cilësojnë Kosovën si një vend ku vetëm plaçkitet, kryeministri Thaçi nuk e sheh si çështje serioze, pasi, sipas tij, “korrupsioni në Kosovë është në nivel më të ulët se vendet e tjera në rajon, por që luftohet edhe më së shumti në rajon”.
“Dhe natyrisht se aty ku luftohet korrupsioni ka më shumë zhurmë ndërsa aty ku nuk luftohet ka heshtje ndaj këtij fenomeni. Ne përpiqemi dhe jemi të përcaktuar që të respektojmë moton tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Jemi duke punuar ngushtë me të gjitha autoritetet ndërkombëtare. Jemi të përcaktuar për vazhdimin e një qeverisje të mirë, të sundimit të ligjit, të transparencës të konkurrencës së lirë e në të njëjtën kohë të luftës pa kompromis ndaj korrupsionit dhe ndaj gjitha fenomeneve negative”, ka thënë Thaçi, në një intervistë të gjatë për radion DW.
Ai ka ritheksuar se, edhe pse ndjehet tepër mirë me qeverisjen që ka vendi aktualisht, asnjë nuk është mbi ligjin dhe përgjegjësitë janë individuale të secilit.
Ndërkaq, kryeministri Thaçi, në fund të intervistës, i pyetur se si e sheh vetën pas mandatit të dytë si kryeministër i vendit, si kryeministër, president apo edhe në opozitë, ka thënë se për këtë do të vendos populli.
“Unë do të vazhdoj të jem përgjegjës në angazhimet e mia, në realizimin e premtimeve të mia por të them të drejtën për të ardhmen pas dy viteve, se a do të kandidoj për kryeministër apo për president ende nuk kam menduar sepse jam i fokusuar në punën time aktuale. Ndërsa se kush do të jetë në opozitë e kush në qeveri atë do ta vendosë vullneti i qytetarëve të vendit. Unë kam besim të plotë në vullnetin e qytetareve për vizionin tonë i cili, është vizioni i Kosovës evropiane në zhvillim, i hapjes së vendeve të reja të punës, i Kosovës demokratike, i Kosovës evropiane”, theksoi kryeministri Thaçi. /zëri/
Add new comment