Taksat, PS: Berisha kopjoi keq programin tonë

Partia Socialiste e ka konsideruar vendimin e qeverisë për të hequr tatimin mbi fitimin për rrogat nën 30.000 lekë, si një kopjim të keq dhe të pjesshëm të programit për një Rilindje Shqiptare. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot paradite, anëtarja e grupit të punës për Programin e PS, Milena Harito ka deklaruar se kjo copëz e programit socialist për taksimin e ndershëm që kryeministri ka njoftuar se do ta përdorë për të arnuar sistemin e tij rrënues të taksës së sheshtë, merr një rëndësi të posaçme në debatin për taksat.
“Humbjen e këtij debati tanimë e ka pranuar vetë kryeministri, duke futur elementin e parë të progresivitetit në sistemin tërësisht të pandershëm të taksës së sheshtë. Kështu e gjithë propaganda banale e kreut të qeverisë për gjoja taksën marksiste, është diskredituar dje nga vetë kryepropaganduesi”, ka theksuar Harito.
Sipas saj PS-ja do ta votojë këtë pjesw të programit për një Rilindje Shqiptare, por do të kërkojë që kryeministri ta vazhdojë kthesën e tij, duke ulur shkallë-shkallë taksën e të gjitha pagave deri në 700 mijë lekë.
“Do të kërkojmë që kryeministri ta vazhdojë kthesën e tij, duke ulur shkallë-shkallë taksën e të gjitha pagave deri në 700 mijë lekë dhe sigurisht duke rritur dyfish taksën e rrogës së tij, të ministrave e të deputetëve. Sepse taksimi i ndershëm do të thotë kush fiton më pak të paguajë më pak dhe kush fiton më shumë të paguajë më shumë. Ndërsa nëse ata që paguhen deri në 300 mijë lekë nuk do ta taksohen për pagën e tyre, ndërsa mësuesit apo policët do të vazhdojnë të paguajnë më shumë taksa se kryeministri, atëherë ky nuk është sistem i ndershëm taksimi po një lëmoshë elektorale. Njësoj si ato lëmoshat e marrjes së njerëzve në punë 3 muaj para zgjedhjeve dhe e flakjes së tyre në rrugë përsëri 1 muaj pas zgjedhjeve”,- ka përfunduar Harito.
SHQIP
Add new comment