Takimi në PD, Bregu replikon me Svobodën për bisedën e zhvilluar

Postuar në 28 Janar, 2014 07:01

TIRANË Në këndvështrimin e opozitës, takimi i djeshëm në selinë e Partisë Demokratike me përfaqësuesit e lartë të PE-së kishte karakter informues për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe punën e deritashme të qeverisë. Por biseda e djeshme mes presidentit të Grupit Socialdemokrat në PE, z. Hannes Svoboda, zv-presidentit të po këtij grupi, z. Libor Roucek me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe ish-ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, është kthyer në replika të mbajtura në distancë. I pari ishte Presidenti i Grupit Socialdemokrat në PE, z.Hannes Svoboda, i cili në konferencën e djeshme për shtyp me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi se deri diku ishin forcat ekstremiste për mosdhënien e statusit si dhe disa zëra që u përhapen në disa kancelari ndërkombëtare se qeveria nuk po punonte, duke shigjetuar në këtë mënyrë opozitën. ”…Thirrja jonë është për opozitën, sigurisht ata duhet të bëjnë punën e tyre dhe të ketë një opozitë të fortë, por të kenë kujdes që ata kur hapin fjalë të tilla të mendojnë që ndikon tek vendi i tyre më shumë”, – tha Svoboda. Por në njoftimin për shtyp të Partisë Demokratike thuhet ndër radhë se, gjatë takimit me Svobodën, kryetari i opozitës, Lulzim Basha kishte dhënë garancinë se pavarësisht rasteve të shkeljes së Kushtetutës, ligjit dhe shtetit të së drejtës dhe parimeve të konsensusit demokratik, Partia Demokratike dhe opozita shqiptare do të mbështesnin pa kushte të gjithë hapat dhe reformat në funksion të integrimit të vendit. Ndërkohë, njoftimit zyrtar të ndërtuar brenda kontureve të formalitetit i është shtuar dje një tjetër zë dhe pa dorashka, ai i ish-ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, e cila ishte e pranishme në takimin e djeshëm që Basha zhvilloi me dy përfaqësuesit e Parlamentit Europian. Së pari, Bregu kundërshton tezën e parë të Svobodës se ishin forcat ekstremiste që penguan në njëfarë mënyre statusin e vendit kandidat. Duke shprehur bindjen e saj se Svoboda mbetet një mik “fanatik” i Edi Ramës, Bregu shkruan ndër radhë: “Diskutuam sot për shumë standarde europiane që mazhoranca Rama- Meta ka shkelmuar gjatë këtyre muajve, i shprehëm zotërinjve bindjen tonë se humbja e statusit në dhjetor të vitit të kaluar, nuk mund të jetë përgjegjësi e ekstremistëve europiane, siç lehtësisht thotë Edi Rama, por dhe se Shqipëria e shqiptarët në këtë proces kanë nevojë për miq e dëshmitarë të sinqertë që të thonë e ndikojnë si miq e zyrtarë europianë tek KM e mazhoranca që të ruajnë standardet e arritura, performanca e të cilave i dha mundësinë Komisionit Evropian të propozonte pa kushte, dhënien e statusit të vendit kandidat në tetor”. Ajo thekson gjithashtu se kundrejt situatës aktuale, opozita kërkon nga partnerët europianë që të jenë dëshmitarë të sinqertë e të vërtetë të asaj që po ndodh sot në Shqipëri. “Të fshehësh të vërtetat poshtë qilimit, nuk ndihmon, as mazhorancën Rama Meta, as Shqipërinë e asnjë shqiptar”, – shkruan ajo. Jo pa qëllim, deputetja demokrate nënvizon se në takim është folur për të pasur respekt vetëm ndaj së vërtetës. “Më vjen keq, por zoti Svoboda respektin e miqësinë e tij personale për dyshen Rama -Meta, nuk mund të na e imponojë dot. Ai është i lirë t’i transmetojë zotit Meta, respektin e pakufi që ka zoti Rama ndaj zotit Meta, por do t’ i lutesha në emër të respektit për shqiptarët, të mos sajojë e më keq deklarojë që në takimin në PD i çuam ‘të fala, me respekt, për z. Meta’. Kjo është tërësisht e pavërtetë!”,- shkruan Bregu. Reagimi i Bregut në fakt ishte për një tjetër deklaratë të mbajtur nga Svoboda në konferencën për shtyp që ai zhvilloi me Metën ku që në fillim të fjalës, ai veçoi: “Jam shumë i lumtur që takohem përsëri me mikun tim prej shumë kohësh, kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë. Sot në mëngjes jam takuar me Kryeministrin dhe liderin e opozitës dhe kuptova respektin e lartë që ata kanë për kryetarin e Parlamentit, z. Ilir Meta”.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.