Tahiri në Londër, i premtohet asistencë për Byronë e Hetimit.
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/1568_cache-210-150-strict-134096_12.jpg?itok=X4DHNoTV)
Pas Italisë, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka nisur tur takimesh me autoritetet më të larta të luftës kundër krimit dhe terrorizmit në Britaninë e Madhe. Ditën e djeshme, është takuar në Londër me drejtuesit më të lartë të Antiterrorit Britanik, si dhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Antikrimit. Shefi dikasterit blu të vendit tonë mësohet se gjatë takimit me drejtorin e Politikave dhe Strategjive të Antiterrorit në ‘Home Office;, Jonathan Emmet, është diskutuar për rritjen e nivelit të bashkëpunimit kundër terrorizmit, përmes shkëmbimit të informacionit mes palëve.
Gjatë takimit është folur edhe për ndihmën që Ministria e Brendshme britanike mund t’i japë Drejtorisë së re të Antiterrorit, drejtori që ka marrë jetë kohëve të fundit në vendin tonë, ku për të janë thirrur mbi 120 efektivë dhe ekspertë të fushës dhe që në plan të parë do të kenë, pikërisht luftën ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Sipas të dhënave mësohet se homologët britanik do të diskutojnë me ministrin Tahiri edhe në fushën e asistencës britanike, ku kjo ndihmë konsiston në shkëmbimin e informacioneve dhe në ngritjen e kapaciteteve përmes trajnimeve të agjentëve. Ndërsa, bëhet me dije se në takimin me Keith Bristoë, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Antikrimit, u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet NCA-së dhe Policisë sonë, si dhe rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht kundër trafikut të drogës dhe korrupsionit.
Kreu i agjencisë së Antikrimit britanik është shprehur i gatshëm që NCA të ndihmojë Ministrinë e Brendshme shqiptare në fazat e para të ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes ngritjes së kapaciteteve, informacionit , infrastrukturës dhe teknologjisë. Njëkohësisht një oficer i NCS-së do të qëndrojë në Shqipëri për të asistuar të gjithë procesin e formimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe për të lehtësuar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy agjencive.
Ditën e sotme mësohet se ministri Tahiri do të takohet edhe me homologen Teresa May, ndërsa mësohet se në këto takime do të gjejnë vend shkëmbimet e informacioneve në lidhje me grupet kriminale shqiptare që operojnë në Angli.
Add new comment