Të majtët në PE do të votojnë pro dhënies së statusit për Shqipërinë

Eurodeputeti Libor Rouçek deklaron se grupi i socialdemokratëve do të votojë pro statusit të kandidatit për Shqipërinë. Në një intervistë për ABC News, Roucek thotë se argumenti për të bindur shtete anëtare hezituese, është se ato s’do votojnë në dhjetor për anëtarësimin e Shqipërisë, por për statusin e kandidatit.
Rezoluta për Shqipërinë do të votohet në datën 5 dhjetor. Grupimi juaj i social demokratëve do të votojë pro statusit të vendit kandidat?
Fiksimi i datës 5 është pozitiv. Raporti për Shqipërinë reflekton progresin që është bërë gjatë një viti në Shqipëri. Viti 2013 është një vit i mbarë për vendin. Së pari, u aprovua legjislacioni i nevojshëm për rekomandimet e Komisionit Europian, zgjedhjet ishin sipas standardeve dhe tranzicioni i pushtetit u bë pa problem. Ne do votojmë rezolutën për Shqipërinë në komisionin e jashtëm në datën 5 dhe javën që vijon në seancë plenare në Strasbourg.
Aktualisht ka shtete anëtare që ende hezitojnë t’i japin po Shqipërisë dhe Holanda është kundër. Vota e Parlamentit Europian vjen një javë para samitit të 28 vendeve anëtare. Sa impakt mund të ketë kjo rezolutë dhe sa e rëndësishme është që ajo të votohet në dhjetor?
Mesazhi i Parlamentit do të jetë që statusi i kandidatit për Shqipërinë duhet të jepet në dhjetor. Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm këtë vit dhe kjo duhet të reflektohet në vendimin e Këshillit të ministrave të BE-së. Ka disa shtete anëtare hezituese. Ne po sqarojmë këto shteteve, që ato nuk do votojnë në dhjetor për anëtarësimin e Shqipërisë, por për statusin e kandidatit . Është statusi i kandidatit që i hap rrugën vendit për të filluar shpejt negociatat e anëtarësimit. Për Rumaninë, Bullgarinë apo dhe Kroacinë, procesi i negociatave ka marrë vite. Sigurisht që Shqipëria ka probleme, por vendi mund ti zgjidhë këto probleme, të përmirësojë standardet dhe të reformojë fushat kyçe gjatë procesit të negociatave.
Duket se kritika thelbësore drejtuar klasës politike shqiptare është bashkëpunimi politik. Grupimet e Parlamentit Europian insistojnë në gjithpërfshirje për reformat e integrimit. Ç’kërkohet konkretisht, që dialogu ekzistues të kthehet në një dialog të qëndrueshëm?
Ky ka qenë mesazhi im konstant. Çfarëdolloj qeverie që vjen në pushtet duhet të ketë një bashkëpunim të qëndrueshëm me opozitën. Pa dialog konstant për axhedën e integrimit nuk arrihet qëllimi i përbashkët . Qeveria dhe opozita duhet të ulen dhe të punojnë së bashku për axhendën europiane.
Dita
Add new comment