Spahiu: Premtimi ynë janë prangat për Sali Berishën

Postuar në 26 Janar, 2013 03:27

 

Vangjel Dule duhet të sillet si kreu i një partie shqiptare, pasi nuk ka asnjë ndryshim nga Agimi i Artë i Greqisë kundrejt shqiptarëve

Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu paralajmëroi një fushatë të ashpër elektorale të partisë së tij mbështetur mbi premtimin e prangosjes së Berishës si vrasës dhe i korruptuar. Në një intervistë për gazetaren Ilva Tare, Spahiu tha se “shtetasi Sali Berisha është një person në kërkim nga drejtësia dhe AK do ta bëj realitet ndëshkimin e tij”.

Duke folur për aleancat e mundshme parlamentare, zgjedhje në të cilat do të peshohet dhe forca e kësaj partie, Spahiu mbetet i vendosur për të bashkëpunuar me çdo forcë politike, përjashtuar siç e cilëson ai, shtetasin Sali Berisha. Por nëse le hapësira për bashkëpunim me PS, edhe lidhur me këtë forcë politike ka disa kushte.

“Me AK mund të bashkëpunojë çdo forcë politike me përjashtim të shtetasit Sali Berisha që rrezikon burgun. Qëndrimi i AK përballë dy fronteve ne pretendojmë se jemi forcë opozitare, e vetmja forcë e drejtpërdrejtë, radikale që bën sot opozitën e vërtetë. Në trenin e AK hipin partitë që nuk e njohin shtetasin Berisha si kryeministër. Ne kemi kushte eksplicite, s’mund të pranojmë parti që bashkëpunojnë me Berishën. U bëjmë thirrje të gjitha forcave opozitare të braktisin parlamentin, është i inkriminuar. Opozita duhet të mbrojë katër të vrarët e 21 janarit, të mbrojë votën”, theksoi ai.

Gjatë intervistës Spahiu ka folur edhe lidhur me “dashurinë dhe urrejtjen” përkundrejt kryeministrit të vendit.

“AK ka lindur disa ditë para 21 janarit, ku në pragun e zyrës së Berishës u vranë 4 persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Kemi njohur shumë diktatorë që kanë vrarë njerëz, por asnjë në pragun e zyrës së tij. S’mund të bësh aleancë me një të pandehur. Fushata jonë elektorale do jetë pranga për Berishën. Partia jonë ka njerëz me CV të jashtëzakonshme, jemi grup juristësh, kemi dosje dhe fakte për çdo politikan jo vetëm për krimet, por edhe për spiunllëqet. Prioriteti unë i parë është bashkimi kombëtar, së dyti kufizimi i mandateve. Kam qenë avokat privat i Berishës ditën që atë e arrestoi Ilir Meta, sot ai është bashkëpunëtor me të. Një ditë para vendimit të gjykatës Berisha piu verë me të. Ai është mosmirënjohës, unë që e mbrojta jam djalli, ndërsa ai që i vuri prangat është engjëlli”, tha ai.

Spahiu ka paralajmëruar edhe depozitimin e dosjeve me politikanë të implikuar në krime, ku renditi edhe disa emra ministrash të kryesuar nga kryeministri i vendit.

“PS dhe PD kanë krijuar një kulturë të tillë që amnistojnë njëri-tjetrin. Do ndërtojmë parametrat e një drejtësisë që të fusim kulturën e ndëshkueshmërisë. Në ditët në vijim ne do të denoncojmë dosje me krime kundër popullit, vendit, krime kuq e zi. Pronat, hidrocentralet, të gjitha potencialet dhe resurset janë pasuri të vendit. Ka dosje për Sali Berishën, Aldo Bumçin, Ridvan Boden, Arben Imamin”.

I pyetur rreth pritshmërive të AK në zgjedhje ai tha:

“Ne pretendojmë që do dalim lëvizje ndër më kryesore, madje në disa qytete lëvizje e parë, si në Kavajë, Kamëz, Bathore, Paskuqan, Kombinat. Ne do jemi surpriza e zgjedhjeve të ardhshme. Do ta dëgjoni violinën e AK në këto zgjedhje. AK ka një meritë që brenda një viti të gjithë vinë pas programit të AK, kemi kombëtarizuar dhe shqiptarizuar politikën. Falënderojmë të gjithë liderët plagjiaturë që kopjojnë strategjinë tonë. Aksionet tona s’kanë qenë gjithmonë për vota. AK nuk ka qëllim në vetvete pushtetin, por shtetin juridik, ndryshimin e regjimit”.

Kreshnik Spahiu, kreu i AK deklaroi në “Tonight Ilva Tare” se paralelet e hedhura mes kësaj force politike dhe Agimit të Artë grek, janë spekulime.

  TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.