Spahiu: Censusi godet çamët
Nenkryetari i KLD-së dhe kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, deklaroi sot se procesi i regjistrimit të popullsisë shkel të drejtat e çamëve, në të njëjtën kohë që po bën një ulje artificiale të numrit të shqiptarëve në Ballkan.
”Censusi nuk mban parasysh të drejtat e çamëve. Propozimi ligjor për këtë klasë të popullsisë u përjashtua nga ky regjistrim”, u shpreh Spahiu, i ftuar në një takim nga Instituti i Çamërisë.
”Një proces i ndjekur në këtë mënyrë, po sjell uljen artificiale të numrit të shqiptarëve në Ballkan. Gjithashtu, është e domosdoshme që shteti të inventarizojë të gjitha pasuritë e paluajtshme të shtetasve shqiptarë.
Rruga ligjore duhet të ndiqej vetëm pas regjistrimit të pronave, por censusi nuk e bëri këtë”, theksoi Spahiu.
Ditën e diel, kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, deklaroi se ndonëse i ka konsideruar si të papërshtatshme disa prej pyetjeve në formularin e regjistrimit për përkatësinë etnike dhe fetare, procesi duhet të shkojë përpara.
Sipas tij, amendamentet e miratuara në parlament janë garante të objektivitetit të këtij procesi. Duke paralajmëruar se do të mbajë nën monitorim INSTAT-in për zbatimin e ligjit, Idrizi theksoi: “Këto amendamente janë i vetmi mjet që gjithë ne kemi në dorë për të ndalur abuzimin me regjistrimin e popullsisë. Në bazë të tyre, për çdokënd që do të deklarojë kombësi të rreme, INSTAT është i detyruar t’a korrektojë vetëdeklarimin e lirë me të dhënat zyrtare që gjenden në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”, tha kreu i PDIU-së.
Zoti Idrizi nuk ka fshehur edhe kënaqësine që disa organizata, përfaqësuese të minoriteteve kryesisht atij grek, kanë deklaruar bojkotin e procesit.
“Ne mendojmë se janë tërhequr ata që do të abuzonin me këtë census dhe është tërhequr dhe konsulli grek me xhup garipi, i cili do të deklaronte se ky regjistrim do të ishte fillimi i betejës për Vorioepirin. Ne i garantojmë shqiptarët se PDIU do të monitorojë procesin nëpërmjet interpelancave, seancave të pyetjeve, që gjithcka të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Shqipëria është dhe do të mbetet shtet unitar dhe jo një shtet multietnik”, shtoi zoti Idrizi.
Ditën e martë, kamerat e Top Channel vërtetuan se procesi po ecën me ritmet e duhura edhe në zonat minoritare, ku nuk janë regjistruar bojkotime nga ana e popullsisë.
Marrë nga Top-channel
Add new comment