Sot shembet me tritol kompleksi “Jon”

Policia njofton bllokimin e qarkullimit për tetë orë në zonën e Ujit të Ftohtë
Për shembjen e kompleksit “Jon” janë hapur 1500 vrima dhe do të përdoren 300 kg tritol
Automjetet dhe kalimtarët mund të shfrytëzojnë për lëvizje rrugën “Dhimitër Konomi”
Që sot, kompleksi “Jon” nuk do të ekzistojë më. INUK, policia dhe forcat xheniere kanë vendosur që sot të bëhet shembja e tij me eksploziv. Informacioni zyrtar është dhënë nga Ministria e Brendshme, që pas shumë përplasjesh mes pronarëve dhe banorëve me forcat e Task-Forcës së drejtuar nga ministri Saimir Tahiri, ka njoftuar se sot shembet me tritol kompleksi “Jon” te zona e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.
Ministria e Brendshme informoi dje se ka marrë masa për kufizimin e lëvizjeve për shkak të kryerjes së veprimeve për shembjen e kompleksit “Jon”. Sipas policisë, për arsye sigurie, nga ora 08:00 deri në orën 16:00 e ditës së sotme do të ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe kalimtarëve, të cilët mund të kalojnë nga pjesa e sipërme e rrugës që të çon tek shkolla tregtare. “Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët, në mënyrë të veçantë banorët e qytetit të Vlorës, se në datë 14.12.2013 do të ketë bllokim të lëvizjes në rrugën ‘Aleksandër Moisiu’ të këtij qyteti, për shkak të punimeve për shembjen e kompleksit ‘Jon’ në afërsi të Ujit të Ftohtë. Gjatë këtij intervali kohor, automjetet dhe kalimtarët mund të shfrytëzojnë për lëvizje rrugën ‘Dhimitër Konomi’. Ministria e Punëve të Brendshme falënderon qytetarët për mirëkuptimin”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Vendimi përfundimtar mësohet se është ndërmarrë pas përfundimit të procesit të hapjes së rreth 1500 vrimave, ku janë vendosur rreth 300 kg eksploziv. Ky proces është shtrirë në tre katet e para të pallatit 8-katësh, ndërsa shpërthimi i telekomanduar pritet të kryhet rreth mesditës së sotme. Specialistë të xhenios dhe forcat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar vijojnë të jenë të pranishme prej më shumë se një jave në godinë. Duket se gjithçka është bërë gati që godina 8-katëshe të shpërthejë me lëndë eksplozivi të telekomanduar.
Bllokimi i pallatit të shumëpërfolur në Vlorë u realizua përfundimisht më 4 dhjetor, pas një vendimi që qeveria kishte marrë për shembjen e tij. Pikërisht atë ditë, mjetet dhe punonjës të INUK u vendosën në territorin përreth këtij objekti, duke nisur me prishjen e pjesëve anësore të tij, platforma prej betoni. Sipas të dhënave, gjithçka nisi që të martën, në kohën kur ministri Tahiri po dërgonte në prokurori dosjen për “Kompleksin Jon”, pasi disa efektivë të FNSH-së janë afruar rreth objektit.
Megjithatë, ndërhyrja për prishjen e kompleksit solli edhe përplasje politike. Sapo nisi shembja e tij, Partia Demokratike ka ndërmarrë një sulm ndaj Kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi si nismëtar të këtij aksioni që ka prapaskenë politike, e cila sipas deputetit të PD-së, Oerd Bylykbashi nuk bën gjë tjetër veçse rrit perceptimin e korrupsionit. “Kur kryeinspektori i INUK ka leje nga Kryeministri të prishë çdo ndërtesë, me leje apo pa leje, me diskriminim apo pa diskriminim, qytetarët do të kuptojnë se e vetmja zgjidhje nuk është ligji, por të paguajnë gjobën tek Kryeministri”, theksoi Bylykbashki në një deklaratë për mediat nga selia blu.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi për veprimet e kryera nga INUK, që është shprehur se kërkesa për ndërhyrjen e tyre është bërë nga vetë kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Në shkresën e Gjikës mësohet se është kërkuar bashkëpunim për ndërhyrje, pasi INUV në Bashkinë e Vlorës nuk ka infrastrukturën logjistike.
Lidhur me vendimin për prishjen e kompleksit “Jon”, reaguan pas vendimit të qeverisë edhe avokatët, të cilët thanë se në këtë rast janë shkelur të gjitha procedurat ligjore. Ata paralajmëruan ankesën në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Këto veprime të INUK-ut, për avokatin Maksim Haxhiaj që mbron interesat e pronarëve, investitorëve dhe disa banorëve të pallatit, janë të paligjshme dhe përbëjnë vepër penale. Po në të njëjtin mendim është edhe pronarja e një apartamenti në këtë pallat, avokatja Erinda Ballanca, e cila shprehet se IUNK-u nuk mund të ndërhyjë për sa kohë ka një vendim gjykate që ndalon cenimin e pronës. Tashmë, se cili nga pretendimet është i sakti dhe i drejti mbetet vetëm çështje shkresash, pasi kompleksi “Jon” nuk do të ekzistojë më. Red. Akt.
Politika
Ndërhyrja për prishjen e kompleksit solli edhe përplasje politike. Sapo nisi shembja e tij, Partia Demokratike ka ndërmarrë një sulm ndaj Kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi si nismëtar të këtij aksioni që ka prapaskenë politike
Shqip
Add new comment