Skandali i Rrashbullit,Tahiri: Muri pandëshkueshmërisë po shembet

Ministri i Brendshëm Saimiri Tahiri ka përshendetur arrestimin e kryetarit të Komunës Rrashbull. Në një postim në rrjetin social Facebook, ministri Tahiri shkruan se falë denonsimit të qytetarëve u arrestua një kryetar komune që bëri një masakër për ndërtimet pa leje.
“Policia e Shtetit, Policia jote: Falë denoncimit të qytetarëve, u arrestua një kryetar Komune për masakrën e ndertimeve pa leje në bregdet. Muri i pandëshkueshmërisë po shembet në çdo tullë. Qytetarët dhe Policia, janë aleanca më e fortë kundër krimit dhe korrupsionit”, shkruan ministri Tahiri në rrjetin social Facebook.
Të shtunën policia raportoi përfundimin e fazës së parë të operacionit që u konkludua me arrestimin e kryetarit të komunës Rrashbull në Durrës, Gazhi, të 4 zyrtarëve të tjerë dhe hetimin në masën e detyrimit për paraqitje për tre anëtarët e KRRT-së së komunës.
Arrestimi erdhi pas verifikimit të shkeljeve në dhënien e 15 lejeve të ndërtimit në zonën e plazhit, që dyshohet të jetë kryer kundrejt përfitimeve materiale.
Lejet janë miratuar pak kohë para vendimit të shtatorit të 2011, që urdhëronte pezullimin e lejeve të ndërtimit me vendim të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë deri përfundim të studimit të planit të përgjithshëm.
Add new comment