Sigurimi i makinave, si do llogariten çmimet e reja

Shumë shpejt, për për caktimin e tarifave të sigurimit të automjeteve do të përdoret një metodologji, e cila do të mbajë parasysh një gamë të gjerë detajesh, që nga standardet e rrezikut që paraqet çdo subjekt, te vendndodhja e tij gjeografike, deri te të dhënat teknike të mjetit e te historiku personal i të siguruarit. “Edhe çmimi që do t’i vendoset siguracioneve të makinave do të jetë shumë i detajuar. Do të ketë të gjithë komponentët e riskut, që nga zona gjeografike, mosha e të siguruarit, kapaciteti i motorit, historiku i dëmeve. Duke e mbyllur, në këtë mënyrë, çmimi do të jetë ai i duhuri”,- tha kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Enkelejda Shehi. Sipas asaj që raportoi dje, përpara Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, diçka e tillë do të luajë efekt pozitiv edhe në vullnetin e shoqërive për t’iu përgjigjur dëmeve të klientëve të tyre, vullnet që sipas shifrave rezulton aktualisht shumë i ulët. “Pavarësisht zhvillimeve pozitive, niveli i ulët i penetrimit dhe raporti i ulët dëme-prime (31% në nëntëmujorin 2011-të), faktojnë sfidat e tregut të sigurimeve në drejtim të rritjes së besimit të konsumatorit dhe përmirësimit të shërbimit”,- saktësohej në raportin e AMF-së.
Raporti i ulët arkëtim-dëmshpërblim
Teksa raportoi përpara deputetëve situatën e tregut të sigurimeve për vitin 2011-të, Enkelejda Shehi vërejti se vitin që shkoi, industria shqiptare e sigurimeve vazhdoi të njohë rritje, megjithëse me një ritëm prej vetëm 2% më të ulët se viti i kaluar. Sipas kryetares së AMF-së, ndikim në rritjen e frenuar të tregut ka pasur sigurimi i detyrueshëm motorik dhe konkretisht portofoli MTPL e brendshme, i cili është ulur me gati 25% krahasuar me vitin 2010-të, edhe pse numri i kontratave shënoi rritje në masën 6%. Ulja e menjëhershme e çmimeve nga operatorët, sipas Shehit, pas heqjes me ligj të tarifave fikse, i ka shkaktuar tregut një rritje të munguar prej afro 11%. Numri i automjeteve të pasiguruara vlerësohet të jetë i lartë, duke rënduar kostot e sistemit dhe në veçanti të shoqërive të sigurimit. Nga një vlerësim i pagesave aktuale për vitin 2011-të të dëmeve nga Fondi i Kompensimit, efekti në raportin dëme-prime të tregut do të ishte 4% më tepër (duke e çuar nga 31% në 35%). Për sa i përket financimit të skemës së fondit të kompensimit nga gjobat e vjela nga automjetet e pasiguruara, pavarësisht rregullimit në legjislacionin përkatës, në praktikë ky rregullim nuk ka gjetur zbatim.
Rritja e çmimeve
Sa për dyfishimin e menjëhershëm të çmimeve të sigurimeve të automjeteve që ndodhi përpara pak javësh, kryetarja e AMF-së argumentoi, se ulja e të ardhurave të kompanive të sigurimeve pas liberalizimit të këtij tregu, bënte të pamundur pagesën e dëmeve pas aksidenteve. “Kemi një rritje me 6 për qind të numrit të kontratave, ndërkohë që kjo është manifestuar me një ulje prej 25 për qind të vlerës së primit. Arsyeja kryesore e rritjes së këtij çmimi ishte se funksionon ligji, tregu tashmë është liberalizuar. Roli i AMF-së në këtë drejtim është vetëm të monitorojë mbajtjen e provigjoneve jo më të ulëta se një nivel minimal. Duhet të sigurohet që kompanitë e sigurimit mbajnë mënjanë provigjone të mjaftueshme për primin e riskut”,- tha Enkelejda Shehi. Deputetët e opozitës hodhën dyshimin, nëse ekziston një marrëveshje mes këtij institucioni dhe kompanive të sigurimeve në dëm të qytetarëve. “AMF-ja nuk bëhet palë me shoqëritë e sigurimit. Misioni ynë i vetëm është mbikëqyrja e tregut dhe mbrojtja e interesave të konsumatorëve”,- tha Jolanda Theodhosi, juriste e Autoritetit të Mbikëqyrjes financiare. Sipas dokumentit të paraqitur dje në Komisionin e Ekonomisë, koncepti bazë i metodologjisë së re të AMF-së, është të identifikojë zonat me rrezik më të lartë në veprimtarinë e shoqërisë së sigurimit dhe kur është e nevojshme, të punojë me menaxhimin e saj, në mënyrë që ta ulë riskun në nivele të pranueshme. Objektivi është që problemet financiare të parandalohen përpara se të ndodhin, në vend që të punohet për zgjidhjen e tyre, pasi ato të kenë ndodhur. Sipas metodologjisë së re, vëmendje më e madhe do t’u kushtohet operatorëve që paraqesin risk më të lartë, duke përqendruar dhe energjitë në fushat me risk më të lartë. Në këtë mënyrë, AMF përcakton qartë drejtimet e saj strategjike, për forcimin e mëtejshëm të mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve, duke u afruar përherë e më tepër me standardet më të mira të fushës dhe duke përqafuar tendencat globale të rregullimit në fushën e sigurimeve.
Lorenc Rabeta
Ballkanweb.com
Add new comment