Shqipëria e meriton statusin e kandidatit për në BE

Postuar në 16 Dhjetor, 2013 07:46

Shqipëria e meriton statusin e kandidatit për në BE
16 Dhjetor, 2013 | Postuar në: Aktualitet,Kryesore,Opinion | Shkruar nga: TemA
Select Language​▼

Nga Kate Holman

EuObserver

Në një nga programet e BBC Today, prezantuesi e gjente të vështirë që të besonte se një vend- Ukraina- mund të pëlqejë akoma anëtarësimin në BE. Por nuk është një rast i izoluar. Ka një tjetër vend, akoma më afër shtëpisë, ku 87 përqind e popullsisë duan anëtarësimin dhe kanë bërë që tani shumë përpjekje për ta marrë atë: Shqipëria.

Këtë javë, liderët e BE do të vendosin nëse do i japin statusin e kandidatit Shqipërisë pas një rekomandimi pozitiv të Komisionit Europian në tetor. Por pse flitet kaq shumë që Shqipëria do mbetet duarthatë sërish?

Pas dy refuzimeve në vitin 2010 dhe në vitin 2011, Komisioni ofroi për herë të parë një tentativë aprovimi në vitin 2012, por e shoqëruar me kushte. Euforia e shkurtër që shqiptarët shijuan, që koincidoi me një shekull pavarësi, ra menjëherë.

Por zgjedhjet e verës së shkuar më në fund plotësuan standardet dhe e vendosin Partinë Socialiste të Edi Ramës në pushtet, duke gjeneruar një ndjesi të vërtetë se diçka kishte ndryshuar, një ndjenjë shprese.

Dhe gjatë 12 muajve të fundit, gjërat kanë ndryshuar.

Progres- raporti i Komisionit Europian për vitin 2013 theksonte se Shqipëria ka bërë progres të mirë në reformat kryesore.

Në Parlamentin Europian, javën e shkuar, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle u tha eurodeputetëve: “Jam i impresionuar nga mënyra se si qeveria e re po i përqendron përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe jam po kaq i impresionuar nga rezultatet e arritura gjatë muajve që kur mori detyrën, që konfirmon trendin pozitiv të vendosur më parë”.

Duke folur në Bruksel së fundmi, Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha e përshkroi anëtarësimin në BE si një prioritet të popullit më shumë se një prioritet të qeverisë.

“Reformat e nevojshme për anëtarësimin do të sjellin edhe standarde më të mira jetese,” argumenton ajo.

“BE është një forcë lëvizëse për të transformuar shoqërinë tonë. Shqipëria po përpiqet fort. Pak vite më parë, Europa ishte një ëndërr. Tani nuk ka kthim pas”.

Po njerëzit?

Pas 46 vitesh komunizëm, vendi nuk kishte një model të shoqërisë së organizuar civile apo të ndikimit publik në vendimmarrje. Por në nëntor, mijëra njerëz u mobilizuan në mbarë vendin për t’i rezistuar presionit nga SHBA dhe për të ndaluar që armët kimike siriane të demontohen në tokën shqiptare. Ishte një shfaqje e paprecedent e fuqisë së njerëzve.

“Ishte një lajm i madh për Shqipërinë që shoqëria civile u ngrit,” pranon Gjosha. “Nuk ishte e lehtë për qeverinë. Por Shqipëria po ndryshon dhe shqiptarët po dëgjohen si kurrë më parë. Ne jemi krenarë”.

Por ka edhe diçka tjetër për të cilën shqiptarët janë krenarë: Modeli i tolerancës fetare, unik, por pak i njohur. Myslimanët, ortodoksët dhe katolikët jetojnë krah për krah në harmoni, duke u shoqëruar, martuar dhe duke festuar festat e tyre së bashku. Ndoshta Europa duhet të mësojë diçka.

Por a ka vullnet BE që të dëgjojë zërin e shqiptarëve? Fakti është se vendi ka vuajtur prej dekadash një problem imazhi të pandershëm dhe të pamerituar. Natyrisht që ka probleme për të zgjidhur, por disa europianë kanë perceptimin e gabuar se Shqipëria është e mbushur me krim, trafik dhe varfëri. Si publiciste e konfirmoj që perceptimet janë më të fuqishme se e vërteta.

Aktualisht raportohet se Britania e Madhe dhe Hollanda janë mes vendeve që duan të ndalojnë progresin e Shqipërisë.

Por disa liderë, nisur nga protestat brenda vendeve të tyre për hapjen e kufijve për Rumaninë dhe Bullgarinë, duan të sakrifikojnë edhe Shqipërinë.

Statusi i kandidatit nuk do të thotë anëtarësim të nesërmen, pasi priten vite të vështira negociatash. Një mundësi është që Këshilli Europian ta shtyjë vendimin tani, deri në qershor të vitit 2014, me të tjera kushte bashkangjitur. Por atëherë, zgjedhjet evropiane, kush e di, mund të bëjnë që disa liderë të kenë akoma më shumë frikë për të sfiduar linjën e euroskeptikëve.

Ka shumë arsye për këtë angazhim special të Shqipërisë ndaj anëtarësimit në BE. Disa e shpjegojnë me shekuj të tërë sundimi otoman, pasuar më pas nga një izolim total prej regjimit të Enver Hoxhës.

Por ajo që shumë njerëz në BE nuk e kuptojnë, është se sa evropiane është që tani Shqipëria, dhe sa e lidhur është historia e saj me atë të vendeve fqinje anëtare. Shkrimtari francez, Valery Larbaud, duke vizituar vendin në vitin 1930, shkruante “një copë e bukur e Europës sonë, e neglizhuar dhe e mbajtur larg për një kohë të gjatë”.

Rreth 80 vjet më pas, ekziston rreziku që Shqipëria, pavarësisht përpjekjeve, të shtyhet sërish në margjina./ep

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.