Shifrat e krimit, PD: Tahiri trukon. MB: Të vendosur për transparencë

Postuar në 06 Janar, 2014 15:47

TIRANE- Ministria e Brendshme dhe Partia Demokratike kanë replikuar sot lidhur me shifrat e krimit në vend.  Duke iu referuar statistikave të muajit dhjetor të bëra publike pak ditë më parë nga ministri i Brendshëm, PD tha sot se këto janë statistika që shkruhen, redaktohen dhe publikohen nga vetë ministri, Saimir Tahiri.

Përpjekja e Tahirit, sipas PD-së, për t’i mbushur mendjen popullit për reforma,  nuk e mbulon dot realitetin që po jetojmë çdo ditë, ku sipas saj, bombat dhe minat me telekomandë, rasti më i fundit kundër Kryetarit të PD, Pogradec, grabitjet, vjedhjet, aksidentet, dhe pasiguria e jetës janë shtuar ndjeshëm.

Në një deklaratë të saj, Ministria e Brendshme tha se është e vendosur të bëjë transparencë, duke ftuar PD-në që të të lërë mënjanë retorikën politike me rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.

“Dezinformimi publik me synim ngjalljen e panikut te qytetarët nuk i shërben as sigurisë publike, as reformimit dhe forcimit të mëtejshëm të Policisë së Shtetit e aq më pak shëndoshjes politike të kujtdo partie politike.”- thekson MB, e cila risjell edhe njehere ne vemendje shifrat e muajit dhejtor. 
 

  1. VRASJET–Janë ulur me 55% krahasuar me dhjetor 2012;
  2. PERSONA NË KËRKIM – Janë kapur 29% më tepër se në dhjetor 2012;
  3. LUFTA KUNDËR DROGËS – Ka 55% më shume procedime penale, 60% më shumë autorë të proceduar.
  4. TRAFIQET– Janë regjistruar 167% më shumë procedime penale dhe 168% më shumë autorë të proceduar.
  5. KRIMI EKONOMIK DHE KORRUPSIONI – 142% më shume procedime penale dhe 116% më shume autorë të proceduar.
  6. QARKULLIMI RRUGOR – Janë ulur me 38% aksidentet me pasojë vdekjen. Janë ulur me 13% aksidentet në total. Janë ulur me 20% aksidentet me pasojë plagosje të rënda dhe janë ulur me 8% aksidentet me plagosje të lehta. Është rritur me 193% numri i masave administrative.
  7. DHUNA NË FAMILJE – Treguesit janë 45% më të lartë sa u përket veprave penale dhe 46% më ta lartë sa u përket autorëve të proceduar.
  8. NDËRTIMET PA LEJE - Treguesit janë rreth 27 herë më të lartë sa u përket veprave penale dhe rreth 20 herë më ta lartë sa i përket autorëve të proceduar.
  9. PRERJA E PALIGJSHME E PYJEVE – Treguesit janë rreth 38 herë më të lartë sa i përket veprave penale dhe rreth 42 herë më ta lartë sa u përket autorëve të proceduar.

SHIFRAT E PD-së

Heroinë e sekuestruar në shtator – nëntor 2012 -  33 kilogram, në kohën e lavdishme të Tahirit 8 kilogram ose 4 herë më pak.

Aksidente me pasojë vdekjen shtator – nëntor 2012 – 57, në kohën e lavdishme të Tahirit 83.

Aksidente gjithsej, shtator – nëntor 2012 – 398, kundrejt 530 të ndodhura në kohën e lavdishme të ministrit Tahiri.

3 vrasje të pazbuluara në periudhën shtator – nëntor 2012 kundrejt 7 të pazbuluarave në kohën e Ministrit Tahiri.

8 aksione të përbashkëta të kryera me organizatat policore partnere ndërkombëtare, kundrejt 0 të kryera në kohën e Ministrit Tahiri. 

Është dyfishuar numri i personave që trafikohen dhe emigrojnë në mënyrë të paligjshme në vendet e BE krahasuar me një vit më parë, duke vënë në rrezik integrimin europian dhe lëvizjen pa viza.

Përsa i përket rekrutimit të policivë të rinj, realiteti është krejt tjetër nga sa paraqet Ministri. Në fund të dhjetorit, një urdhër i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ka hequr nga lista e pritjes rreth 500 kandidatë për policsë, të cilët i kanë fituar të gjitha fazat e konkursit të monitoruar nga ICITAP, dhe ishin në pritje të hapjes së vendeve të reja.

Thirrja e Tahirit për aplikime deri më 20 janar, është demagogji dhe farsë, pasi është e qartë se rekrutimet do të bëhen nga zyrat e Partisë Socialiste sipas interesave të kësaj force politike për të vënë nën kontroll total policinë e shtetit.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.