Shefi i sigurisë futi celularë në qelitë e të arratisurve të Drenovës

Postuar në 02 Dhjetor, 2013 14:43

Tiranë Tri javë më parë, policia e Korçës arrestoi shefin e sigurisë në sektorin B të burgut të Drenovës, si i dyshuar për futjen e telefonave celularë në qelitë e të burgosurve. Asokohe nuk pati asnjë hetim të thelluar për këtë ngjarje, por policia u mjaftua me evidentimin e një rasti për të kryer arrestimin e Albert Tomorrit, ndaj të cilit u caktua masa e sigurisë “arrest me burg me afat 20 ditë” ndaj të dyshuarit. Gjatë kësaj kohe prokuroria ka hetuar mbi veprimtarinë e të dyshuarit dhe thotë se ka provuar se Albert Tomorri është një nga personat që ka futur telefona celularë në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë. Por të dhënat rreth pretendimeve të akuzës janë të pakta, pasi nuk ka ende një të dënuari i cili mund të ketë përfituar telefon celular në qeli me ndihmën e shefit të sigurisë së një prej sektorëve të rëndësishëm në burgun e Korçës. Duke qenë se ditën e djeshme kishte përfunduar afati prej 20 ditësh i masës së sigurisë që Gjykata e Korçës kishte dhënë menjëherë pas arrestimit të të dyshuarit, prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Kjo masë është kundërshtuar nga avokati mbrojtës i Tomorrit, por përfaqësuesi i akuzës deklaroi në seancë gjyqësore se hetimet tregojnë që i dyshuari është përgjegjës për disa raste të futjes së celularëve në qeli. Kjo pasi vetëm një javë më parë, prokuroria nisi një hetim gjithëpërfshirës në burgun e Drenovës duke arrestuar 21 punonjës policie të cilët abuzuan me detyrën duke lejuar arratisjen e shtatë të dënuarve për krime të rënda. Në këtë hetim sipas prokurorisë ka rezultuar ndër të tjera se shefi i sigurisë së sektorit nr. B në burgun e Korçës nuk kishte zbatuar masat e duhura të kontrollit, çka ka bërë të mundur futjen e sendeve të paligjshme në qelitë e të dënuarve. Konkretisht sipas akuzës në burgun e Korçës janë futur celularë edhe dy javë përpara arratisjes spektakolare të të dënuarve për krime të rënda. Por ende nuk janë publikuar emrat e të burgosurve që kanë mundur të pajisjen me celularë me ndihmën e shefit të sigurisë. Për këto arsye prokuroria kërkoi nga gjykata të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj ish-shefit të sigurisë në burgun e Korçës, Albert Tomorri. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata e cila vendosi të lërë në qeli zyrtarin e policisë së burgut të Drenovës, si i dyshuar për shpërdorim detyre. Arrestimi dhe mbajtja në qeli e Tomorrit e çon në 20 numrin e punonjësve të policisë së burgut të Korçës të arrestuar pas arratisjes spektakolare të Admir Tafilit, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe gjashtë të dënuarve të tjerë. Një javë më parë të dënuarit Admir Tafili, Fran Pal Marashi, Gëzim Gjergj Guri, Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj, Eduard Kujtim Lula dhe Artur Demir Gora, nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, qëlluan me breshëri kallashnikovi për mosafrimin e rojeve dhe më pas ikën nga burgu i Drenovës. Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri, janë arrestuar rreth orës 13:00 të së dielës së kaluar në një magazinë në periferi të Prrenjasit. I dënuari Artur Gora u arrestua pak orë pas arratisjes në Korçë, teksa udhëtonte me një taksi drejt fshatit Pojan, ku banon familja e tij, ndërsa tre të arratisurit e fundit, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lula u kapën nga policia greke në kufirin shqiptaro-grek pak ditë pas arratisjes.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.