SHBA: Proces gjyqësor i lirë për 21 janarin

Postuar në 18 Janar, 2013 04:18

 

Ambasada amerikane paralajmëron qytetarët e saj: Kujdes nga marshimi i PS-së i së hënës

Ambasada amerikane në Tiranë, dy vjet pas ngjarjes tragjike të 21 janarit, kërkon proces gjyqësor të besueshëm, mbi të gjitha i pandikuar nga politika. Me anë të një deklarate për shtyp, ambasada amerikane ka theksuar se në atë ditë, të gjithë ishin viktima të dhunës së pakuptimtë dhe të pafalshme. “Në përvjetorin e dytë të ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011, ambasada e Shteteve të Bashkuara iu shpreh përsëri ngushëllimet e saj familjarëve të atyre që u vranë dhe lënduan. Të gjithë ishin viktima të dhunës së pakuptimtë e të pafalshme. Tani më shumë se kurrë, ka nevojë për shpjegim të plotë të ngjarjes së 21 janarit nëpërmjet një procesi të besueshëm gjyqësor, të lirë prej ndërhyrjeve politike. Në këtë ditë përkujtimi paqësor, iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë dhe institucioneve të qeverisë që të punojnë pa pushim për të frymëzuar popullin shqiptar, që të besojnë në demokracinë e tyre duke forcuar sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë. Një qëndrim i tillë vjen në kohën kur Partia Socialiste ka shpallur marshimin e saj më 21 janar në kujtim të vrasjes së katër protestuesve të saj Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Në orën 10:30, nga selia e PS-së pritet të marshojnë simpatizantët e opozitës. Mësohet se në krye të saj do të jenë familjarët e katër viktimave. Marshimi pritet të ndalet përpara Kryeministrisë. Pasditen e 21 janarit parashikohet të zhvillohet një takim në sallën e Akademisë së Arteve, ku kryesocialisti Edi Rama pritet të mbajë fjalim. Për këtë aktivitet të paralajmëruar, ambasada amerikane i bën thirrje qytetarëve të saj të shmangin tubimin e së hënës. “Ambasada e SHBA kujton se edhe demonstratat dhe ngjarje të tjera të mëdha që kanë për qëllim të jenë paqësore mund të kthehet në konfrontuese dhe të përshkallëzohen në dhunë. Ju duhet të shmangni zonat e demonstrimeve dhe të ushtroni kujdes nëse jeni në afërsi të ndonjë tubimi të madh, proteste, apo demonstrate. Tubimet e mëdha publike mund të ndikojnë në të gjitha arteriet kryesore hyrëse të qytetit”, thuhet në njoftimin e ambasadës. Mësohet se punonjësit e ambasadës janë lënë pushim të hënën.

OSBE

 

Edhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, ka kërkuar dje një proces të drejtë, që do të nxjerrë fajtorët për ngjarjen e 21 janarit

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.