Serbët ndalojnë makinat e KFOR-it në Jarinjë

Postuar në 07 Nëntor, 2011 05:16

Serbët kanë ndaluar të hënën kalimin e makinave të KFOR-it me ushtare amerikanë, në pikën kufitare të Jarinjës.
Sipas Kosovapress, pas bisedimeve mes përfaqësuesve të serbëve dhe KFOR-it, të cilat kanë zgjatur rreth gjysmë ore, makinat ushtarake janë kthyer në drejtim të Mitrovicës dhe nuk është regjistruar ndonjë incident.
KFOR-i kishte paralajmëruar që të hënën do të vazhdojë punimet në sanimin e urës në vendin Lozhishte që ndodhet në mes të Zvecanit dhe Leposavicit, në mënyrë që makineria e tyre të mund të qarkullojë në drejtim të Jarinjes.
KFOR-i nisi javen e shkuar largimin e barrikadave te pika kufitare në Bërnjak.
Që prej mesit të shtatorit barrikadat e bëjnë të pamundur qarkullimin e automjeteve nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës në atë jugore dhe anasjelltas.
Banorët që kalojnë përskaj saj janë lodhur nga kjo pamje e përditshme.Adem Mripa është banor i një lagjeje në veri të qytetit.
Ai thotë se çdo ditë ai dhe familja e tij kalojnë në urën kryesore mbi Ibër, përsipër barrikadës, ndërsa kërkon nga vendorët e ndërkombëtarët që ta zgjidhin sa më shpejt këtë problem.
“Nuk dua sa ta mendoj nëse do të kthehen apo jo anëtarët e familjes, apo nëse do të mund të kaloj unë. Ne po jetojmë me një stres të madh se kur do të marrë fund kjo”, shprehet Mripa.
Sipas tij, jeta në pjesën veriore të qytetit, të banuar me shumicë serbe, është e pasigurtë. Edhe qytetarët e tjerë kërkojnë zgjidhjen sa më parë të kësaj çështjeje, në mënyrë që t’i kthehen jetës normale.
“Ne nuk jetojmë më në atë pjesë sepse ma kanë djegur shtëpinë. Por presim që ata persona që jetojnë atje, tek Lagjia e Boshnjakëve, tek Kroi i Vitakut, që ballafaqohen me këto barrikada, të ballafaqohen me mënyra të tjera”, thotë Muhamet Kosumi.
KFOR-i duket se është më shumë për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut, edhe pse kërcenon për forma të tjera.
Shumë takime janë zhvilluar me kryetarët e komunave paralele. Së fundi, në veri shkoi këtë të mërkurë edhe raportuesi për Kosovën në Këshillin e Evropës, Bjorn Fon Sidove.

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.