Ruçi: Berisha kokrra e mashtruesit, s’lë pushtet

Postuar në 13 Janar, 2013 04:24

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, zhvilloi një takim me strukturat e PS-së në qytetin e Gjirokastrës për nisjen e përgatitjeve për fushën e elektorale të 23 qershorit. Ruçi akuzoi kreun e qeverisë se mashtroi buxhetorët dhe krijoi një anomali me mosdhënien e rrogave. “Berisha është kokrra e mashtruesit, pasi nuk ishin justifikim listëpagesat, por mungesa e të hollave për shpërndarjen e tyre buxhetorëve”, tha dje Ruçi. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së u shpreh më tej se “Kryeministri Sali Berisha nuk ikën nga pushteti dhe për këtë populli shqiptar duhet të reagojë, e këtë mision historik nuk ka kush ta prijë përveç socialistëve”. Ruçi ka bërë prezent edhe frymën mes socialistëve në vitet 1992-1996 për luftën e tyre politike, çka duhet të jetë prezente edhe në ditët e sotme. “PS do të fitojë, por pa organizim dhe administratë zgjedhore, nuk mund të ketë fitore. Mjaft i rëndësishëm është organizimi i emigrantëve dhe emigrantëve brenda vendit, studentëve dhe organizimi i tyre për në ditën e votimit. Fati i zgjedhjeve vendoset në qendrën e votimit dhe te qendra e numërimit, duke sjellë si shembull rastin e mandatit të nëntë në Qarkun e Fierit në zgjedhjet e 2009-s, i cili u bë objekt polemikash dhe përplasjesh mes socialistëve dhe demokratëve”. Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, dje ishte në qytetin e Vlorës gjatë një takimi me strukturat e PDsë. Patozi mori pjesë në ceremoninë festive të 22-vjetorit të themelimit të degës së PD-së në Vlorë, ku u shpreh se Partia Demokratike është e vetmja parti që do të realizojë integrimin në familjen europiane. Kreu i Grupit të PDsë shprehu bindjen për një fitore të thellë në zgjedhjet e 23 qershorit, duke marrë votëbesimin për një mandat të tretë qeverisës. Patozi theksoi se koalicioni i ardhshëm i Partisë Demokratike do të jetë më i madhi ndër vite dhe se koalicioni do të ketë si pikë kryesore qytetarin. “Partia Demokratike është e vetmja forcë politike dhe e vetmja alternativë, e cila garanton realizimin e ëndrrës europiane të shqiptarëve, e vetmja forcë politike, e cila ka demonstruar përkushtim ndaj qytetarit. Shpreh bindjen për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe mandatit të tretë qeverisës të kësaj maxhorance. Koalicioni i djathtë do të jetë koalicioni më i madh qeverisës, sepse ai do të jetë koalicioni me qytetarin”, tha Patozi. P.N / Q.B

 PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.